12 shtator 2010

Del Neri: Kasano te Juvja? Kurrë mos thuaj kurrë

Sot në “Olimpiko” të Torinos nuk do të ketë asnjë vend bosh, pavarësisht se abonimet e tifozëve bardhezinj kanë shënuar një rënie prej 21%, duke kaluar nga 19 në 14 mijë. Përveç sezonit zhgënjyes, vitin e kaluar, kanë ndikuar edhe futja në fuqi të kartës së tifozit dhe një merkato ku ka munguar blerja e madhe. Dhe atëherë për t’i rikthyer entuziazmin popullit bardhezi ka menduar Del Neri, me një deklaratë në lidhje me transferimin e mundshëm te Juvja të Kasanos: “Antonio te Juventus? Kurrë mos thuaj kurrë. Pas Romës, nuk mendoja të punoja më me të, nuk e imagjinoja se rrugët tona do të ishin kryqëzuar sërish në Gjenovë. Kasano është një lojtar, që të gjithë skuadrat do të donin ta kishin në përbërje. Për momentin, mendoj për lojtarët e mi, te të cilët besoj shumë”, ka thënë trajneri i Juves. Në pritje të zhvillimeve të reja, Kasano mbetet një kundërshtar shumë i rrezikshëm. Pasi e ka ndihmuar të ringrihet te Sampdoria, Del Neri po studion se si mund ta ndalojë: “Shpresoj që Antonio të mos jetë në maksimumin e formës. Sampi ka treguar se nuk është vetëm Kasano. Sigurisht ai është një lojtar i madh që ka rritur nivelin e ekipit, duke arritur të rikthehet edhe te kombëtarja e Italisë”, ka thënë Del Neri.