Portieri “axurr” tregon rrugën drejt suksesit: Në 2014-ën kthehemi lart nëse përziejmë përvojën me talentin
Xhixhi Bufon, “doreza e artë” e “Murit të Berlinit”, është duke u riaftësuar nga problemi në shpinë. Prandeli i ka dhënë edhe shiritin e kapitenit të kombëtares “axurre”. Për këtë, në prag të pikëve të para në lojë, portieri i Italisë flet për herë të parë si kapiten i kombëtares. I karikuar. Motivon Marketin, inkurajon Balotelin, lavdëron Kasanon, ia beson “çelësat” Pirlos, duartroket Prandelin, trajnerin që donte. Numri 1 “axurr” e nis nga dështimi në Botëror ndaj Sllovakisë
“Pas atyre djemve ishte një popull i tërë. Vuaja për Lipin dhe për një staf që na kishte dhënë shumë, për lojtarët me përvojë, që po mbyllnin karrierën me Italinë, për të rinjtë që kërkonin një të ardhme. Kur dëgjova fjalën “turp” nuk doja ta besoja. Gjëra të “Republikës së Bananeve”. Ndërkohë Prandeli menjëherë fitoi besueshmëri e simpati: “Pas dështimit me Lipin, kush do që do të vinte do të fitonte një bonus, - vazhdon Bufon. - Ishte më i përshtatshmi për këtë rol.
Prandeli më telefonoi ditën pas operacionit. Më transmetoi besim dhe stimul në një moment jo të lehtë. Nuk kemi folur më. Është e drejtë që konfidenca të lindë në mënyrë natyrale, me kohën”. Pastaj Xhixhi kalon në “sitë” portierët e rinj italianë: “Sirigu është i riu që është paraqitur më mirë, Marketi më pëlqen shumë. Kurçi vjen nga një sezon i madh. Përfshij këtu edhe Vivianon, Amelian, Miranten, Abiatin, De Sanktisin, Storarin… Jemi të mbuluar. Marketi është portier i tretë në Kaljari? Më vjen keq, sepse është një djalë i mirë.
Meriton një skuadër më të mirë. Nuk mund të humbasë një vit”. Mendimi shkon edhe për repartin e mesfushës e atë të sulmit, ku Bufoni e nis nga Pirlo: “Prandeli fiton një vlerë të shtuar me Andrean, - shpjegon 33-vjeçari. - Pirlo të befason me idetë e tij, një lojtar që nëse je në vështirësi, i kalon topin dhe merr frymë, një udhëheqës në fushë. Për një kombëtare të re, shumë stof. Kasano e Baloteli? Prandeli nuk e ka tepruar që u ka dhënë shumë përgjegjësi atyre.
Janë dy të rinj cilësorë. Nëse kanë dëshirë të luftojnë, mund të japin vërtet diçka. Antonio është i pjekur përfundimisht si njeri. Nuk them se bën gjëra shembullore, por i bën normale dhe është shumë. Vendimtar? Nuk kam menduar ndonjëherë se ai që vendos është një njeri i vetëm. Baloteli, italiani me ngjyrë? Pasqyra e Italisë që ndeshim në rrugë dhe në shkolla, - shton Bufoni. -
Mua më intereson vetëm të jetë i lidhur pas fanellës siç tregoi në debutim. Duke shkuar në Mançester, Mario bëri zgjedhjen më të mirë, që do ta ndihmojë të piqet dhe të rritet në vazhdimësi”. Gjatë viteve të fundit, Bufoni ka bërë shpesh thirrje për një kombëtare me një shpirt prej “skuadre punëtore”. Por tani Prandeli propogandon Italinë “e buzëqeshjes dhe të cilësisë”, që sulmon dhe zbavit.
“Nuk do të jemi asnjëherë shumë spanjollë, - nënvizon Bufon, - por nuk mund t’i mbyllim sytë përpara asaj që na kanë mësuar skuadra si Spanja dhe përpara nevojave të futbollit modern, që kërkon cilësi dhe kurajo. Por të mos harrojmë që Spanja ka 4-5 lojtarë të nivelit shumë të lartë. Po ne? Baloteli është i vetmi që ka potencial prej lojtari klasi”. Bufoni tregon edhe rrugën që duhet të ndjekë kombëtarja e Prandelit: “Ishim mësuar ta shihnim për të sigurt një kualifikim në Europian.
Por tani duhet ta arrijmë me forcë, do të jetë e drejtë të festojmë pastaj. Por nëse në këto 2-3 vjet arrijmë të realizojmë përzierjen e drejtë mes talentit të të rinjve dhe përvojës së Pirlove dhe të De Rosëve, atëherë do të rigjejmë një kombëtare të gatshme për objektiva të mëdha”. Madje Bufoni shkon edhe më tej: “Në Brazil për të fituar në 2014-ën? Po, nëse kjo përzierje lojtarësh realizohet, në Brazil mund të luajmë ndaj të gjithëve.
Çfarë do t’u thoja lojtarëve nëse do të më dëgjonin në prag të eliminatoreve të Europianit 2012? Djema, trashëgimia e kësaj fanelle është e rëndë. Nderojeni. Harrojini dualizmat, në fushë ekziston vetëm kombëtarja. Jepni gjithçka, sepse ngjyra “axurre” që mbani në fanellë është e veçantë”. Dhe në fund një premtim: “Do të jem gati për kombëtaren më 25 mars për Slloveni-Itali. Shihemi atje”.