Mbrojtësi italian shprehet i bindur se pas dështimit në Kupën e Botës, kombëtarja axurre po ecën në rrugën e duhur drejt reformimit.
Juventini ka folur sot në një konferencë shtypi nga Koverçiano ku kombëtarja e Prandelit është grumbulluar në prag të transfertës ndaj Estonisë në sfidën e parë të eliminatoreve të kampionatit Evropian Euro 2012. “Ashtu si Juventusi, edhe kombëtarja po hap një cikël të ri. Prandaj është logjike që të dalin vështirësi gjatë rrugës. Rëndësi ka që rruga e ndjekur është ajo e duhura”, u shpreh mes të tjerash qendërmbrojtësi.
Lidhur me Juventusin, që e nisi me humbje kamionatin e ri italian, 23-vjeçari pohoi: “E dinim që do të kishim vështirësi në fillim, pasi ka shumë lojtarë të rinj të ardhur së fundi. Kërkoj nga tifozët të jenë të duruar edhe pse e di se durimi e ka një kufi. Duhet të punojmë fort pasi Interi dhe Milani janë më të fortë se ne. Por mund të krahasohemi me Romën”. Objektivi? “Të kualifikohemi në Ligën e Kampionëve dhe të ndërtojmë një skuadër gjithnjë e më konkurruese”.