01 shtator 2010

Kielini: Milani dhe Interi më lart se Juvja

Mbrojtësi bardhezi beson se skuadra e tij nuk do të luftojë për titullin në Serinë A

Xhiorxhio Kielini ka qenë i qartë në deklaratat e tij duke e nxjerrë Juventusin jashtë luftës për titull në kampionat: “Milani dhe Interi janë superiorë. Ne me ardhjen e Ibrahimoviçit tek Milani jemi një hap mbrapa, madje shumë hapa mbrapa. Mua projekti i Juves më pëlqen shumë, por është afatgjatë. Tifozëve duhet t’i flasim qartë për të mos krijuar më pas presione që vitin e kaluar kanë qenë fatale dhe kanë shkaktuar një zhgënjim të madh për të gjithë.

Objektivi ynë mbetet një vend në Ligën e Kampionëve dhe në disa momente do ta kemi shumë të vështirë”. “Që nga “Calciopoli” me Interin ekziston një rivalitet i madh, - ka vazhduar mbrojtësi bardhezi. - Mendoj se kanë diçka më shumë edhe se Milani, nuk do të bëjmë tifo për kuqezinjtë, por nuk mund të themi kurrë forca Inter sepse më pas ndoshta mund të rifitojnë përsëri gjithçka”. Qendërmbrojtësi toskan, pasi ka folur për kampionatin dhe sezonin e ri të Serisë A, në fund, ka folur edhe për kombëtaren e Italisë dhe në veçanti për Kasanon:

“Ai është lojtari që ka më shumë cilësi se të gjithë, por nuk është e drejtë të thuash se kjo Itali varet nga Antonio. Nuk i bën mirë të marrë kaq shumë përgjegjësi. Nëse një skuadër nuk luan, as Mesi nuk mund të bëjë diferencën”. Kasano gjithsesi duhet të rekuperohet për të parë nga dy ndeshjet me të cilat do të hapet zyrtarisht epoka e Çezare Prandelit si trajner i Italisë të premten kundër Estonisë dhe të martën kundër Ishujve Faroe. “Axurrët”, pikërisht në pritje të këtyre ndeshjeve janë stërvitur edhe dje në mëngjes, me ish-trajnerin e Fiorentinës që ka patur në dispozicion Cigarinin, i grumbulluar në vend të të dëmtuarit Markizio.