02 nëntor 2009

Higuain i jep fitoren Realit

Reali i Madridit edhe pse me dhjetë lojtarë në fushë ka arritur të shënojë fitore me rezultat 2-0 në takimin e kampionatit spanjoll përballë Getafes të zhvilluar në Bernabeu.
Mbretërit mbetën me një lojtar më pak në fushë që nga minuta e 27-të pas përjashtimit me karton të kuq të mbrojtësit Raul Albiol.
Por sulmuesi argjentinas Gonzalo Higuain nuk e ndjeu mungesën e tij dhe ndihmoi ekipin duke shënuar të dy golat e fitores, që të dyja në pjesën e dytë dhe brenda tre minutash (53’ dhe 56’).
Fitorja lehtëson presionin e trajnerit të Realit, Manuel Pellegrini, i cili ishte kritikuar dhe madje u vu në pikëpyetje e ardhmja e tij pas disfatës së fundit në Kupën e Mbretit ndaj ekipit të divizionit të tretë, Alcorcon.
Madrid për momentin mbledh 22 pikë, sa ka edhe Barcelona që sonte më vonë udhëton në fushë të Osasunas.