22 janar 2009

Zaneti fillon të prekë titullin

Mesfushori i Juventusit, Kristiano Zaneti, beson në parakalimin e Interit. Të shtunën e ardhshme ndaj Fiorentinës, mesfushori bardhezi do luajë ndeshjen e tij të tretë si titullar. E menjëherë sapo është kthyer në fushë, mesfushori bardhezi ka folur për objektivat e tij personalë me Juventusin: “Gjatë këtij sezoni kemi pasur gjithmonë lojtarë të dëmtuar. Dëmtimet kanë qenë konstante dhe shpeshherë trajnerit i është dashur të luajë pa dhjetë lojtarë titullarë. Besoj se ky ka qenë një disavantazh i madh, pasi një skuadër kur i mungojnë tre apo katër kampionë, nuk arrin të shprehë rendimentin e saj. Tani po rikuperojmë lojtarë të rëndësishëm, e për më shumë jemi vetëm tri pikë larg kryesueses së kampionatit. Tani e tutje kur të kemi në skuadër Bufonin, Kamoranezin dhe Trezegenë dhe jam i sigurt se si në përballjet direkt në kampionat, ashtu edhe në Champions, do të jemi akoma më shumë kompetitiv”. Por Juventusit përpara se të mendojë për Evropën, i duhet të ndeshet me Fiorentinës: “Do jetë një ndeshje e rëndësishme ndaj një skuadre, që edhe në fazën e parë të kampionatit na hapi shumë probleme. Fiorentina është e fortë, por nëse arrijmë të interpretojmë ndeshjen në mënyrën e duhur, do e kemi të lehtë fitoren. Sidoqoftë jam i mendimit se do jetë një ndeshje e bukur”. Përballë skuadrës vjollcë, për Juventusin do jetë fondamentale arritja e tri pikëve, nëse dëshiron të barazojë Interin në tabelën e klasifikimit, qoftë edhe për pak orë: “Gjatë fazës së parë u duk qartë që ndërmjet Interit dhe Juventusit nuk kishte ndonjë dallim të madh, e sot për sot na ndajnë vetëm tri pikët e përballjes direkt. Nëse do t’i rikuperojmë lojtarët e dëmtuar, jam i sigurt se do kemi diçka më shumë se Interi, sepse kjo skuadër nuk e ka shprehur akoma të gjithë potencialin e saj. Jam i bindur se në fund të kampionatit kampionët që kemi në skuadër do bëjnë dallimin”, ka përfunduar mesfushori bardhezi, Kristiano Zaneti.