20 janar 2009

Xhili mburret me 19-vjeçarin Ariaudo

Përballja Lacio-Juventus, përveç vlerave të mëdha që i ka dhënë në planin moral skuadrës bardhezi, do kujtohet edhe si takimi ku debutoi për herë të parë në Serinë A, mbrojtësi i talentuar 19-vjeçar Ariaudo. E padyshim, që prova e mirë e talentit të Juventusit është një motiv krenarie për presidentin Xhovani Koboli Xhili, i cili ka thënë: “Ndaj Lacios kemi parë një Ranieri të guximshëm, që aktivizoi në fushë një 19-vjeçar. Unë dhe i gjithë klubi jemi krenarë për djemtë e talentuar që po rriten dita-ditës tek Juventusi. Ariaudo ka luajtur shumë mirë dhe pa diskutim që do jetë një nga pikat tona më të forta për të ardhmen”. Më pas, vetë mbrojtësi 19-vjeçar ia ka dedikuar debutimin e tij të mirë skuadrës e në veçanti shokëve të mbrojtjes, të cilët në çdo moment e inkurajonin: “Në radhë të parë dua të falënderoj shokët e skuadrës, që në çdo moment më kanë ndihmuar. Sinqerisht që nuk e prisja një debutim kaq të mirë. Shpresoj të vazhdoj kështu edhe në të ardhmen”. E pa dyshim që e ardhmja e Juventusit tani e tutje do mbajë emrin e Ariaudos.