20 janar 2009

Del Piero dhe Ibrahimoviç janë yjet e Serisë A

Alesandro Del Piero është shpallur dje futbollisti më i mirë italian, kurse Zlatan Ibrahimoviç ka fituar çmimin futbollisti i huaj dhe sigurisht më i miri në absolut dhe Çezare Prandeli, trajneri më i mirë. Janë këto çmimet kryesore të sezonit 2007-2008 të dorëzuara pasditen e djeshme në Milano nga shoqata e futbollistëve, në një mbrëmje tashmë të bërë traditë, pas përfundimit të fazës së parë të çdo kampionati. Oskari si gjyqtari më i mirë i është dhënë Roberto Rozetit, i cili së fundi është vlerësuar edhe si arbitri më i mirë në botë për 2008-ën. Xhorxho Kielini ka fituar çmimin si mbrojtësi më i mirë i sezonit, kurse Marek Hamshik vlerësohet si i riu më i talentuar. Nuk kishte dyshime mbi çmimin e portierit më të mirë, juventini Xhanluixhi Bufon. Risia e këtij sezoni ishte edhe votimi për golin më të bukur të vitit, çmim që vendoset nga votat e tifozëve, i cili i ka shkuar Zlatan Ibrahimoviçit dhe në përfundim, Oskari për lojtarin më të dashur nga publiku italian nuk kishte sesi të mos shkonte në duart e kapitenit të Juventusit, Alesandro Del Piero.