08 janar 2009

“Titullar në sfidën ndaj Sienës, të presim...”

Xhixhi Bufon nuk është i kënaqur me paraqitjen që ka bërë skuadra e tij në ndeshjen e parë të këtij viti kundër Monakos. Portieri bardhezi, i cili është rikthyer në fushë pas tre muajve pushim për shkak të një dëmtimi të pësuar në këmbë, e komenton pa entuziazëm paraqitjen në Monako: “Duke pasur parasysh që kam qenë i larguar për shumë kohë, edhe këto ndeshje miqësore më ndihmojnë për të rifituar ritmin, – pranon Bufon. – Nuk kam pasur shumë gjëra për të bërë. Shpresoja të bëja disa pritje më shumë, por edhe kështu mendoj se kam qenë mirë. Jam shumë i kënaqur që do të vazhdoj rikuperimin. A do të jem në fushë kundër Sienës? Të shohim, tani jam mirë. Por gjithsesi duhet ta bisedojmë me trajnerin dhe pastaj të vendosim së bashku se çfarë do të bëjmë”.