26 janar 2009

Ranieri pranon: Goli i Xhilës, i rregullt

Trajneri i Juventusit ka folur për gabimet e arbitrave në ndeshjen me Fiorentinën
Polemikat pas ndeshjes kanë qenë në qendër të vëmendjes më shumë se fitorja e Juventusit. Klaudio Ranieri do të donte t’u gëzohej tri pikëve të fituara, por më shumë i është dashur t’u përgjigjej pyetjeve mbi gabimet e arbitrit dhe reagimin e Del Pieros, që është zëvendësuar për të dytën herë radhazi.
“Eshtë e ndaluar të mendojmë për klasifikimin”,- kishte thënë trajneri juventin para fillimit të ndeshjes kundër Fiorentinës. Por pasi ka mbaruar me sukses edhe sfida kundër toskanëve, midis polemikave dhe vuajtjeve, Ranieri mendon më shumë për renditjen. “Jemi shumë të kënaqur me këtë fitore, vazhdojmë të qëndrojmë lart, por Interi është një ekip i madh”.
Në të vërtetë, Ranieri përballet me polemikat dhe i driblon ato me elegancë: “Gabimet e arbitrave ndodhin. Në rastin e golit të shënuar nga Xhilardino nuk ka pozicion jashtëloje, - ka pranuar trajneri i Juventusit, - por anësori e ka shumë të vështirë të shohë pozicionin e Markionit, pasi ky i fundit bllokohet nga vetë Xhilardino.
Por mendoj se është një gabim normal, pastaj gabimet kanë qenë gjithmonë të pranishme, janë dhe do të jenë gjithmonë pjesë e këtij sporti”. Ranieri shijon fitoren e tij të shtatë radhazi në shtëpi, por i bën komplimentet edhe ekipit vjollcë: “Atyre u ka munguar vetëm goli. Fiorentina ka treguar se është një skuadër shumë e fortë dhe e vështirë për t’u mundur.
Por ne kemi arritur të fitojmë një ndeshje shumë të rëndësishme. Jam i kënaqur me lojën që kemi zhvilluar, edhe pse kemi bërë disa gabime që do t’i analizojmë më me qetësi në ditët në vazhdim bashkë me ekipin. Juventusi më ka pëlqyer më shumë në pjesën e parë, edhe pse i kemi lejuar shumë hapësira kundërshtarit.
Në pjesën e dytë kemi qenë më të bashkuar, por kemi vuajtur kundërsulmet e Fiorentinës”,- ka thënë tekniku. Më pas vjen komenti mbi ndërrimin e Del Pieros. “Në fushë kam parë vetëm gjërat e bukura që ka bërë, si pasimi i mrekullueshëm që i ka dhënë Markizios për golin që ka vlejtur tripikëshin, - ka buzëqeshur Ranieri.
- Në të vërtetë kam zëvendësuar kapitenin, sepse po vuanim shumë dhe kisha nevojë për një lojtar të freskët që t’i krijonte probleme mbrojtjes së Fiorentinës. Nuk mund të veproja ndryshe”. Për të mbyllur polemikat mendojnë edhe drejtuesit e klubit. Administratori i deleguar Blank i ka dhuruar një përkëdhelje kapitenit: “Kampionët janë të gatuar në këtë mënyrë, nuk është një problem”.