21 janar 2009

Ranieri: Ibra u largua nga Juventusi për para

Tekniku, kundër yllit suedez, i cili braktisi bardhezinjtë pas "Calciopolit"
Klaudio Ranieri sulmon Zlatan Ibrahimoviç, duke argumentuar se sulmuesi suedez u largua nga Juventusi për të përfituar më shumë para tek Interi. Drejtuesi i stolit bardhezi shprehet i bindur se në vendimin e tij, 27-vjeçari nuk u ndikua nga "Calciopoli", që detyroi "Zonjën e Vjetër" të luante një sezon në Serinë B. Ibra mbrojti për dy sezone fanellën e Juventusit, përpara se të transferohej tek Interi në vitin 2006, menjëherë pas shpërthimit të skandalit në futbollin italian. Pasi "zbarkoi" te zikaltërit, lojtari pohoi se milanezët ishin klubi i tij i preferuar që në fëmijëri dhe largimi nga Juventusi erdhi për shkak të skandalit. Por, Ranieri mendon ndryshe. "Interi është një skuadër më e fortë, pasi ata kanë më shumë lojtarë në kontingjentin e tyre. Ibrahimoviç u jep atë hopin cilësor, që nevojitet për të bërë diferencën nga skuadrat e tjera. Mendoj se Ibra do të ishte larguar nga Juventusi edhe nëse ‘Calciopoli‘ nuk do të kishte ndodhur", deklaroi trajneri për "Corriere Dello Sport". "Jam i sigurt për këtë. Blerja e tij te Juventusi ishte realizuar me intuitë. Ai nuk kushtonte shumë dhe kishte rrogë të vogël. Është mjaft e thjeshtë, Zlatan është i vetëdijshëm për kualitetin e tij dhe kërkonte të përfitonte sa më shumë para". Në fundjavën e kaluar, Interi humbi 3-1 në fushën e Atalantës, duke rindezur shpresat e rivaleve (Juventusit dhe Milanit) në garën për titull. Tashmë bardhezinjtë ndodhen vetëm 3 pikë larg kryesuesve, por sinjali më i rëndësishëm ishte se zikaltërit nuk janë të pathyeshëm. Ranieri shprehet i habitur nga forma jo e mirë e kundërshtarëve: "Është e habitshme, pasi (Hoze) Murinjo i kushton gjithmonë shumë vëmendje mbrojtjes. Ai është një trajner i madh dhe jam i sigurt se Interi do të rikuperojë pas këtij hapi fals, pavarësisht se unë shpresoj që kjo të mos ndodhë së afërmi".Më tej, trajneri gërsheton të kaluarën me të tashmen, edhe sepse në Champions, Juventusi do të përballet me ish-skuadrën e tij, Çelsin. "Këtu (në Torino) ndihem mirë, punoj në një ambient që di t‘i realizojë idetë e mia. Ka shumë persona që thonë se të punosh në një skuadër të madhe është e vështirë, pasi është e vështirë të menaxhosh yjet. Nuk është e vërtetë, lojtarët e mëdhenj janë të kuptueshëm. Më duket normale që në disa raste të mbeten të pakënaqur, sepse nuk luajnë, shtoi Ranieri. Në Ligën e Kampioneve kemi kundërshtar Çelsin? Keqardhja ime për eksperiencën në Londër është se më larguan edhe pse skuadra u klasifikua e dyta në kampionat dhe arritëm në gjysmëfinalet e Championsit. Mendoj se e meritoja edhe një shans tjetër. Gjithsesi, tek ajo skuadër ndihmova në rritjen e Lampard dhe Xho Kol, që ishin ende të rinj. Ardhjen e Abramoviçit në krye të klubit ma komunikuan kur isha ende në makinë: i kërkova të merrte Françesko Totin te Çelsi".