26 janar 2009

‘Për 150 milionë euro edhe mund të largohem’

Juventusi fiton duke vuajtur me Fiorentinën 1-0. Dhe pa diskutim, që një meritë e madhe për realizimin e golit të vetëm të ndeshjes i takon kapitenit Alesandro Del Piero, për asistin magjik që i dha të riut Markizio. Mirëpo “Pinturkio” është përfshirë ndërkohë edhe në një çështje disi të shëmtuar, pasi nuk e ka kapërdirë dot zëvendësimin e minutës së 32-të të pjesës së dytë me Xhovinkon, duke shfaqur shenja nervozizmi në pankinë. Pavarësisht kësaj, Del Piero pranon se nukbëhet shumë pishman për gjestin e tij, por në të njëjtën kohë përpiqet të ulë tonet, duke e kthyer në diçka komike atë episod. “Në atë moment isha mjaft i nervozuar, pasi ai xhup nuk ishte i masës sime dhe sigurisht që vetëm mund ta hidhja në tokë... Sigurisht, që të bësh skena të atilla nuk është aspak e hijshme, por gjithsesi edhe këto gjëra duhen pranuar. Shpesh jemi tepër të karikuar emocionalisht dhe një reagim i tillë edhe mund të kuptohet pas një zëvendësimi, por në fund gjithçkambyllet aty. Asisti në drejtim të mesfushorit Markizios? Jam shumë i lumtur për faktin që Klaudio gjeti golin e tij të parë dhe tepër të rëndësishëm me Juventusin, por në të njëjtën kohë sepse asisti im shërbeu për të shënuar dhe fituar, - vazhdon numri 10 i “Zonjës së Vjetër”. – Gabimet arbitrare? Besoj se Fiorentina, duke përjashtuar këtu të gjithë mungesën e vëmendjes ndaj tyre, sigurisht që mund të ankohet kundrejt vendimeve të gjyqtarëve, pasi sigurisht është një skuadër që krijon një volum të madh loje, dhe në fund nuk kompensohet me ato që krijon. Me ne kanë luajtur shkëlqyeshëm, por nuk besoj se ndaj nesh ishte arbitrimi ai që pengoi vjollcët të fitonin. Suksesi ynë erdhi si rrjedhojë e faktit që ne përdorim armë të ndryshme kundrejt skuadrave të tjera në fushë, dimë t’i rezistojmë gjatë vuajtjeve dhe padyshim falë pritjeve të shkëlqyera të Xhixhi Bufon. Një temë tjetër e përfolur me Alesandro Del Piero është e ardhmja e tij, duke kujtuar që kontrata që ka me Juventusin skadon në gusht të vitit 2010. Mundësisë së një largimi të mundshëm pas fundit të kontratës së tij, “pinturkio” i përgjigjet me ironi: “Nëse i ofrohen 150 milionë euro Juventusit dhe 20 milionë euro në vit mua? Pse jo, jam i gatshëm të ulem në tavolinë me personat e interesuar dhe të bisedojmë këtë temë. Gjithsesi, duke i lënë mënjanë shakatë, në drejtimin tim nuk kanë mbërritur kurrë oferta të tilla dhe është e kotë të mendoj këtë mundësi”, përfundon kapiteni i bardhezinjve, Aleks Del Piero.