28 janar 2009

Pas Padovas dhe Viçencës, Bogdani refuzon edhe Atalantën

Moxhi: "Lojtari nuk lëviz nga Kievo". Sulmuesi kërkohet edhe nga Viçenca e Serisë B
Edhe pse ofertat nuk i mungojnë, Erjon Bogdani nuk ka ndërmend të largohet nga Kievo. Një gjë e tillë tashmë është mësuar zyrtarisht, pasi sulmuesi shqiptar i skuadrës veroneze ka refuzuar edhe ofertën e radhës, atë të ardhur nga Atalanta. Skuadra bergamaske është hedhur në kërkim të një sulmuesi të denjë për të zëvendësuar Kristian Vierin. Opsioni i parë ishte Stelone, por presidentin i Torinos, Kairo, e ka hequr nga merkatoja sulmuesin e tij. Pas dështimit, Atalanta e kanë postuar vëmendjen tek Erjon Bogdani. Por përgjigjja e shqiptarit ka qenë e menjëhershme: "Jo". Sikurse duket, bomberi i kombëtares kuqezi, nuk dëshiron të marrë në konsideratë asnjë mundësi për t‘u transferuar në një tjetër skuadër. Këtë synim të tij e ka konfirmuar edhe menaxheri i tij, Aleksandro Moxhi, i biri i Luçiano Moxhit, të njohur si koka e fenomenit "Calciopoli". "Bogdani nuk dëshiron të largohet nga Kievo, tha dje për ‘Sportal.it‘ menaxheri i shqiptarit. Kemi pasur shumë oferta dhe shumë propozime, por nuk kemi asnjë tratativë në vazhdim dhe lojtari im nuk do të largohet nga skuadra e qytetit të Veronës. Fakti se klubi i Kievos i ka bërë zgjedhjet e saj, duke kërkuar sulmues të tjerë, nuk e shqetëson aspak dhe prandaj nuk i ndryshon programet e Bogdanit". Megjithatë, Atalanta ka bërë një sondazh te Kievo, por është përballur me vendimin e pandryshueshëm të shqiptarit, kështu që është detyruar të spostohet në kërkim të një tjetër sulmuesi. Një tjetër pistë e përfolur për bomberin shqiptar ka qenë edhe kalimi i tij te Viçenca e Serisë B, por që është thuajse pamundur të realizohet. Mosgjetja e një skuadre për Bogdanin ka bllokuar transferimin e Okakas nga Roma te Kievo. Kalimi i mundshëm i Bogdanit te Roma në këmbimit të Okakas, është hedhur poshtë drejtuesit e klubit verdhekuq, pasi theksojnë se nuk do të marrin përforcime në merkaton e dimrit.