28 janar 2009

Arjan Beqaj, në portë kundër Maltës

Migen Memelli, i vëzhguari special i Ari Han në derbin e fundjavës Dinamo-Tirana
Arjan Beqaj do të jetë plotësisht i gatshëm për sfidën eliminatore të 11 shkurtit, ku Shqipëria luan në fushën e Maltës. Rikuperimi i plotë i "gardianit" kuqezi është konfirmuar nga kampionët në fuqi të Qipros, Anorthosis Famagusta. 32-vjeçari, i cili së fundmi ka fituar çmimin si "I Huaji më i Mirë" në ishullin e Afërditës, ka rifilluar stërvitjen normale. Madje, ai pritet të aktivizohet në kampionat që prej kësaj fundjave, edhe sepse pas dëmtimit të tij, Anorthosis ka shfaqur shumë probleme mes shtyllave. Kjo është parë qartë në takimin e humbur 2-1 në fushën e saj, me Omonian kryesuese (skuadër ku militon mesfushori kuqezi, Klodian Duro): portieri rezervë, Nagi, ishte protagonist i një gabimi të pafalshëm në minutat shtesë, duke u "dhuruar" golin e fitores kundërshtarëve. Beqaj ka munguar nga fushat e lojës prej rreth 11 javësh, pas dëmtimit të pësuar më 4 nëntor, në barazimin historik 3-3 kundër Interit në Ligën e Kampioneve (pa llogaritur aktivizimin në 45 minutat e para të sfidës së dhjetorit me grekët e Panathinaikosit, ku doli nga fusha mes dhimbjeve). Gjithsesi, trajneri gjeorgjian, Ketsbaja, po mendon ta aktivizojë portierin ndaj APOP, takim i vlefshëm për javën e 20-të të kampionatit qipriot. Drejtuesi i stolit tek Anorthosis deklaroi: "Shanset që Arjan Beqaj të luajë që prej kësaj fundjave janë mjaft të mëdha. Gjithsesi, duhet të vlerësojmë gjendjen e portierit dhe do të vendosim përpara ndeshjes, nëse ai është i gatshëm të luajë pa rrezikuar më shumë". Ndër të tjera, Ketsbaja pohoi se nuk do t‘i krijojë asnjë problem "gardianit", nëse shërbimet e tij kërkohen nga trajneri i Shqipërisë, Ari Han. Përpara mungesave të dy mesfushorëve Altin Lala dhe Lorik Cana, holandezi kërkon të mbështetet te të gjithë titullarët për takimin me Maltën. "Nëse Beqaj grumbullohet në Kombëtaren shqiptare, unë nuk do t‘i krijoj asnjë pengesë. Edhe pse portieri nuk ka qenë në gjendjen optimale, nuk mund ta privojmë nga përfaqësimi për vendin e tij", theksoi trajneri gjeorgjian.MemelliPasi ka marrë "ok" e Anorthosis për Beqajn, Ari Han kërkon të zgjidhë të tjera enigma për sfidën në La Valeta. Tri pikët janë objektivi i vetëm dhe në rast fitoreje, kuqezinjtë do të marrin kryesimin e Grupit 1 eliminator të Botërorit 2010. Përveç mungesave në mesfushë, 60-vjeçari po studion edhe alternativa të reja në fazën sulmuese, ku do të lejë jashtë skuadrës sulmuesin Edmond Kapllani dhe mesfushorin e krahut, Jahmir Hyka. Risia në repartin ofensiv pritet të jetë Migen Memelli, që pas huazimit te Tirana ka rigjetur formën e tij më të mirë. Lojtari do të jetë i vëzhguari special i derbit Dinamo-Tirana, më 31 janar. Korçari ka realizuar 18 rrjeta me bardheblutë në gjysmën e parë të sezonit: 10 në kampionat dhe 8 në Kupën e Shqipërisë. Me Bogdanin që vuan mungesën e aktivizimit e Berishën që sapo u transferua te Horsens, Memelli mbetet i vetmi sulmues kuqezi, përkrah Hamdi Salihit që po kalon një moment të mirë. Han e ka vëzhguar 28-vjeçarin gjatë janarit 2008, në "zborin" e Antalias. Në të kaluarën sulmuesi ka qenë edhe në planet e ish-teknikut, Oto Bariç, por ende nuk ka gjetur hapësirën për të debutuar me kuqezinjtë.