21 janar 2009

“Në fillim dua kampionatin, pastaj pres Riberinë në Torino”

Trajneri i Juventusit, Klaudio Ranieri, i intervistuar nga “Corriere dello sport”, ka folur për skuadrën bardhezi, Interin dhe rivalin e tij të përjetshëm, Zhoze Mourinjo, që e zëvendësoi kohë më parë tek Çelsi. Ranieri, tani që përfundoi faza e parë e kampionatit, mendoni se mund të grumbullonit më shumë pikë?
Padyshim që mund të kishim grumbulluar disi më shumë pikë, por nga ana tjetër jam i lumtur që gjatë kësaj faze të kampionatit në grupin e skuadrës kemi zbuluar lojtarë të talentuar, të cilët do jenë mjaft të rëndësishëm për të ardhmen e Juventusit.
Çfarë ju bën krenarë për Juventusin?
Tek Juventusi ndihem tepet rehat, sepse punoj në një ambient që realizon idetë e mia. Juventusi më bën të ndihem krenar, pasi këtu të gjithë kampionët e skuadrës më kuptojnë. Është normale që ata ndihen keq kur nuk luajnë, por ama e kuptojnë që kjo sakrificë do t’i lejojë të luajnë më mirë në sfidën e ardhshme.
Çfarë e bën Del Pieron të ndihet i paprekshëm tek bardhezinjtë?
Dëshira e tij për të luajtur, profesionalizmi, qetësia në familje dhe në dhomat e zhveshjes. Pastaj, Del Piero ndihet kapiteni i një skuadre të rilindur. Vetëm qëndrimi i tij me Juventusin në Serinë B, së bashku me Trezegenë, Bufonin dhe Kamoranezin e bënë atë dhe të tjerët të ndihen të paprekshëm.
Ekzistojnë premisat e një viti 2009 më të mirë se ai 2008?
Shpresoj. Mua më pëlqen të aplikoj në futboll të njëjtat praktika si në basketboll: pra, ta mbyllim sa më pranë kreut sezonin e rregullt, e më pas të shkarkojmë të gjitha bateritë që kemi në fund të tij.
Jeni penduar që kur ishit tek Çelsi refuzuat ofertën e Mançester Sitit?
Jo. Në Angli jam ndjerë keq vetëm për mënyrën se si mori fund raporti im me Çelsin. Një trajner që të jep vendin e dytë në kampionat dhe e çon skuadrën deri në gjysmëfinalen e Ligës së kampioneve e meriton një shans të dytë. Madje kur ika, Abramoviçit i kam thënë: Ti po më largon, sepse nuk merr vesh nga futbolli.
Por për ofertën e Sitit a jeni penduar?
Asokohe, ish-presidenti i Mançester Sitit, Thaksim Shinavatra, më kërkonte me insistim. Por më pas u materializua propozimi i Juventusit, dhe “Zonjës së Vjetër” nuk mund t’i thuash kurrë jo.
Ançeloti dëshiron të drejtojë Romën një ditë. Po ju?
Unë jam roman. Macone më thoshte shpesh se, nëse nuk drejton Romën, nuk mund të quhesh trajner. Tani jam më i vjetër e nuk kam kohë. Le që në Romë, në qoftë se gjërat nuk
shkojnë mirë, nuk mund të dalësh nga shtëpia; dhe nëse shkojnë mirë, akoma më keq. Kurse në Torino ndihem shumë mirë, e nuk kam pse të mendoj për ndonjë skuadër tjetër.
Interi tani është më i thyeshëm. Mendoni se mund të përmirësohet?
Është e çuditshme, sepse Murinjo është një trajner që i kushton rëndësi të veçantë mbrojtjes. E të pësosh tre gola në “Bergamo” është vërtetë e habitshme. Personalisht jam i mendimit se Mançini tek Interi ka bërë një punë të madhe: përpara ardhjes së
Robertos, Interi ngjasonte më tepër me një aeroport, sesa me një skuadër, sepse kishte gjithmonë lojtarë që vinin e të tjerë që iknin. Murinjo është një trajner shumë i mirë dhe ky Inter është një ekip i fortë, por ama më i thyeshëm se një vit më parë.
Pritej më shumë nga Murinjo?
Jo. Ai është përpjekur të aplikojë metodat e tij: ai luan me skemën 4-3-3, pra me një sulmues e dy gjysmë sulmues. Por Mancini dhe Kuarezma nuk dhanë atë që pritej. E si rrjedhojë tani e gjithë loja e zikaltërve rrotullohet rreth shpikjeve të Ibrës.
Thuhet që Juventusi është një skuadër solide, por Interi më e fortë. Jeni dakord?
Ata për nga numri i lojtarëve janë më kompetitivë, por ne kemi dëshirën për hakmarrje në anën tonë. Interit kualitetin në skuadër ia rrit vetëm Ibrahimoviç, që nga Juventusi do kishte ikur edhe pa ndodhur “Calciopoli”.
Jeni i sigurt?
Po. Ibra nuk fitonte shumë e nuk ishte blerë shtrenjtë. Ndërkohë që ai donte pikërisht këtë, të fitonte më shumë. Meqenëse po flasim për para, miliardat e arabëve po ua ndezin gjakrat të gjithë presidentëve të klubeve të Serisë A... E njëjta gjë thuhej edhe 20 vjet më parë për Berluskonin. Gjithsesi, miliardat nuk i bëjnë ndonjë të keqe botës së futbollit.
A ka lojtarë të pashitshëm tek Juventusi?
Bufon për shembull... Shpresoj që të ketë. Për një trajner, lojtarët që ka janë gjithnjë të pashitshëm. Në kësi rastesh, unë jap mendimin tim si trajner, por vlerësimin përfundimtar e bën klubi dhe drejtuesit.
Besoni se paratë e kanë bërë më spektakolare Premier Ligën?
Jo, në Angli dallimin e bën kultura sportive. Për tifozët anglezë skuadra është si një familje. E në këtë kuptim, në momentet më të vështira ata e mbështesin gjithmonë e më shumë atë. Ndërsa në Itali ndodh krejt e kundërta: menjëherë të nxjerrin pankartat, ku të shajnë për një ndeshje të humbur. Por duke e parë nga një këndvështrim tjetër, nëse një rus apo sheik do vendoste të futej në Formulën 1, edhe sikur të investonte miliarda e miliarda euro nuk do arrinte të ndërtonte kurrë një Ferrari. Prandaj, jam i mendimit se paratë nuk e kanë bërë Premierë Ligën më të bukur.
Atëherë, sipas jush, ku luhet futbolli më i bukur?
Kampionati italian është më i vështiri në botë. Ndërsa ai spanjoll është më spektakolari, më i bukuri.
Po ai anglez?
Anglezi ka të bukur shpirtin e garës. Atje lojtarët nuk simulojnë, nuk protestojnë dhe japim gjithmonë maksimumin e tyre, sa herë që zbresin në fushë.
Ndërmjet Sakit dhe Kapelos, cilin prej tyre preferoni më shumë?
Që të dy. Ne trajnerët e rinj përpara Sakit ishim nxënësit e Helenio Herrerës. Por Arrigo ka qenë i pari që ka punuar mbi sulmin, duke na bërë të gjithëve të mendojmë për mesfushën e sulmin. Kurse Kapelo është një trajner që punon shumë mbi njohjen e kundërshtarit që ka përballë. Një shahist më saktë. E ky kryqëzim idesh teknike e bën të madh futbollin tonë dhe prodhon pa fund trajnerë të mëdhenj si Alegri, Gasperini,
Balardini, Marino e Xhiampaolo.
Në Ligën e Kampioneve do keni përballë Çelsin. Çfarë mendoni se i keni dhënë asaj skuadre?
Kam rinovuar e zbuluar lojtarë të rinj si Lampard, e duke u larguar kam lënë futbollistë si Xho Kol. Mbaj mend që asokohe sapo erdhi Abramoviç. Ai u përpoq të kontaktonte me Eriksonin, por më pas më dha dhe një mundësi. Ishte e bukur, sepse kur
bisedoja me të gjithçka rrotullohej rreth emrave të lojtarëve që duheshin blerë. Ai kishte një zakon, çfarë kërkonte e donte patjetër. Një ditë i thashë: “Nëse do, shko e na bli Totin”. Më pas, për gati një muaj, me zor ia mbusha mendjen të blinte Makelelen nga Reali, pasi ai donte emra më të mëdhenj. E si përfundim, disi më vonë, erdhi dhe largimi im nga pankina londineze. Gjithsesi, tani jam i lumtur që ndodhem në një klub që më kupton dhe zbaton idetë e mia.