28 janar 2009

Lionel Mesi, 254 milionë, asnjë nuk kushton sa ai

Superoferta e prezantuar nga Mançester Siti për Kaka ka bërë të shpërthejë një polemikë e pafundme. Çështjet teknike janë përzier me ata të administrimit të një klubi dhe me çështjet morale. E drejtë apo jo të ofrosh 120 milionë euro për një lojtar të vetëm? Bëhet fjalë për një pyetje që nuk është e lehtë t‘i përgjigjesh dhe që, mund të mbartë me vete një seri të pafundme "nëse"-sh dhe "por". Kështu, e përditshmja sportive spanjolle, "El Mundo Deportivo", lëshon një provokim dhe llogarit vlerën e Lionel Mesit. Dëshironi Mesin? Lëreni fare..., ose më mirë, lërjani një sheiku. Sa mund të kushtojë kartoni i fenomenit të Barcelonës? Jo më pak se 254 milionë euro. Gazeta bën llogaritë deri në detaje. Mesi ka një çmim më të lartë se 150 milionë euro, sa është edhe klauzola për ndërprerjen e kontratës aktuale të tij. Shtoji kësaj edhe rrogën relative të tij. Duke marrë këtë shifër si bazë, ndonjë president i pasur do të duhet t‘i shtojë më pas edhe 16% të TVSH-së, që do ta çonte vlerën e kartonit në 174 milionë euro. Por kjo do të ishte akoma e pamjaftueshme, sepse autoritetet spanjolle do ta denonconin, në rast të shitjes së tij, për pagimin e taksës së të ardhurave për personat fizikë, që është plot 46 për qind. Në total, klubi që ka ndërmend të blejë Mesin do të duhet të paguajë plot 254 milionë euro. Çmimi është fiksuar tashmë, mungon vetëm blerësi. Por ku i dihet, ndoshta sheiku pronar i Mançester Siti, Mansur bin Zajed Al Nahjan, mund ta ketë zgjedhur Mesin, si ngushëllim për refuzimin që i bëri Kaka. Gazeta sportive spanjolle "El Mundo Deportivo" llogarit shifrën e shitjes së fenomenit të Barcelonës, ku nuk përfshihet rroga