28 janar 2009

Milan tani e ka seriozisht: Gati ta blejmë Bekhamin

Presidenti Silvio Berluskoni: Do të kërkojmë ta mbajmë
Pas frikës së madhe, Milan përqafon sërish super-Kakanë, feston golin e parë të Bekhamit dhe fillon të ëndërrojë për titullin. Ançeloti thotë "mund ta fitojmë" dhe Galiani çmendet pas Kakasë: "Kur shënoi golin e dytë, kam thënë: Imagjinojeni sikur ta kishte bërë për Sitin? Do të na kishin vrarë...". Po Bekham? Ai shpreson të qëndrojë ("Të shikojmë") dhe gjen një spondë te Silvio Berluskoni: "Është një kampion i madh, ka deklaruar presidenti i të kuqve nga Sardenja, do të tentojmë që ta mbajmë në skuadër". Euforia nuk është pjesë e qenies së tij, por mister "400 pankina te kuqezinjtë", Ançeloti, fillon të mendojë për një të ardhme edhe më të mirë. "Ka qenë një javë e veçantë, e nisur mirë, sepse të hënën ka ardhur vendimi i Kakasë për të qëndruar, më pas gjithçka ka shkuar drejt përmirësimit, për t‘u mbyllur me këtë ndeshje shumë të bukur. Mund të jetë e rëndësishme për të ardhmen tonë, hapen spirale interesante për ne", ka thënë trajneri. Pas ndeshjes, trajneri është pyetur rreth çështjes Bekham: "I mbetet atij të vendosë se çfarëdo të bëjë, ne i kemi duart e lidhura, sepse ai është i lidhur nga një kontratë shumë precize. Deri sa ta kemi në dispozicion, nuk shikoj asnjë arsye përse të mos ta shfrytëzojmë mirë, ngaqë ai po kalon një formë të mirë. Nëse "Karleto" mendon kështu, Galiani u beson të dhënave historike: "Po luajmë shumë mirë, unë e kam bombarduar skuadrën gjatë gjithë javës, duke u thënë se 10 vite më parë me Zakeronin ishim në të njëjtën situatë në klasifikim dhe fituam 3-2 në Bolonjë. Më pas fituam edhe titullin në fund të kampionatit. Abiati, Ambrozini e Maldini ishin atëherë dhe mund ta kujtojnë një gjë të tillë...".Por në ditën e Kakasë, tifozët kuqezinj kanë zbuluar edhe rëndësinë e Bekham. Goli i tij i parë si milanist është fryt i dy fitoreve dhe një barazimi. Të gjitha këto duket sikur thonë se oreksi vjen duke ngrënë... "Të luash për Milanin, për mua është një gjë speciale, ka thënë ‘Spice Boy‘. Të shënosh është akoma më shumë. Por gjëja më e rëndësishme është që fituam. E ardhmja? Nuk mund të thuhet edhe pse kontrata ime parashikon që unë të qëndroj këtu deri në mars. Të shikojmë. Tani po shijoj këtë eksperiencë, jam në një prej klubeve më të rëndësishme të botës. Fitorja na jep besim për të vazhduar". Menjëherë më pas ka reaguar edhe përfaqësuesi ligjor i Milanit, Leandro Kantamesa, i cili hap një mundësi për blerjen përfundimtare të yllit anglez: "Forma e huazimit përfundon në mars, më pas mund të ndodhë gjithçka. Ai duhet të flasë me klubin e tij, Los Anxhelos Galaksi dhe t‘u thotë atyre se dëshiron të qëndrojë këtu. Në atë moment ne do të nisim një tratativë të vërtetë". Ndërkohë që edhe shtypi britanik e konfirmon dëshirën e anglezit për të qëndruar te Milani. "Sipas kontratës me Galaksin më 2 tetor, shkruan ‘Times‘, Bekham mund të lirohet në parametër zero". Për ta evituar një largim që nuk do t‘ju fuste para në xhep, amerikanët mund të nisin tratativat për shitjen e tij.