28 janar 2009

Ançeloti: Hoze Murinjo tregon mungesë respekti

Karlo Ançeloti pozicionohet kundër kolegut të tij, Hoze Murinjo, pas episodit të së dielës, ku tekniku zikaltër u largua me karton të kuq. Derbi Milan-Inter shtrihet edhe në temën rreth gjyqtarëve. "Nuk besoj se gjyqtari Çeli kishte frikë. Mendoj se Murinjo tregoi mungesë të theksuar respekti ndaj arbitrit dhe vendimi për ta larguar nga stoli me karton të kuq ishte i drejtë. Në momentet kur gjyqtarët janë nën presion, në ndihmë të tyre duhet të vendosemi ne trajnerët", deklaroi trajneri kuqezi. "Megjithatë, të gjithë ne (teknikët), duke përfshirë këtu edhe veten time, nuk është se i ndihmojmë shumë ‘bilbilat‘. Ka pasur ndryshime të ndjeshme në radhët e gjyqtarëve dhe është më se normale që të ndodhin gabime. Problemi kryesor në këto momente është pozicioni jashtë loje, por në disa raste janë episode milimetrike; vijërojtësit në Serinë A janë të shkëlqyer".