28 janar 2009

Leo Mesi: Nuk dua të bëhem si Ronaldinjo

21-vjeçari këmbëngul se nuk do të kërkojë asnjëherë largimin nga "Kamp Nou"
Lionel Mesi konfirmoi dëshirën për të qëndruar te Barcelona deri në fund të karrierës. Gjithsesi, ylli argjentinas e ka të qartë se jo gjithçka është në dorën e tij dhe me kalimin e viteve situatat mund të ndryshojnë: këtë e konfirmon rasti Ronaldinjo. Miqësia e 21-vjeçarit me fantazistin brazilian është mjaft e fortë dhe Mesi ishte njëri prej atyre që e ndjeu më shumë ftohjen e Dinjos me klubin katalan. Transferimi i këtij të fundit te Milani vulosi një "divorc" të kërkuar nga të dyja palët, mbi të gjitha nga drejtuesit "blaugrana". Mesi shpreson që kjo të mos ndodhë dhe më tej, edhe pse është i vetëdijshëm se nëse nuk zhvillon një apo dy sezone në nivele të larta, Barça mund të vendosë ta shesë. "Shpresoj ta mbyll karrierën te Barcelona dhe se klubi nuk do të vendosë të më shesë në vitet e ardhshme, ashtu sikurse bënë me Ronaldinjon", deklaroi ai për "Kanalin 33". "Dinjo ishte një lojtar shumë i rëndësishëm, i cili dha shumë për Barcelonën. Megjithatë, në sezonet e fundit dukej se asgjë nuk po shkonte ashtu si duhej për të. Kur mbërrita në këtë klub isha shumë i vogël. Kam gjithë jetën që luaj me këto ngjyra. Dëshiroj të aktivizohem vetëm me Barçën dhe shpresoj se nuk do të vijë dita kur klubi të më thotë se nuk jam më i nevojshëm. E di se nuk është e pamundur (që një ditë mund të largohet). Shikoni çfarë ndodhi me Ronaldinjon. Në sezonin e fundit në ‘Kamp Nou‘ ai nuk ishte i lumtur, pasi e dinte që klubi nuk e donte më". Më tej, Mesi theksoi se nuk do të ndjekë rrugën e lojtarëve të tjerë, të cilët ndryshojnë klube në mënyrë që të përfitojnë më tepër para. "Nuk do të transferohem te Çelsi, Interi apo Reali i Madridit. Nuk e kuptoj përse bëhet kaq shumë zhurmë rreth këtyre spekulimeve dhe përse duhet të përgënjeshtroj fjalët që nuk kanë asgjë të vërtetë? Besoj se njerëzit e kanë të qartë se çfarë dua", shtoi ai. "Mbërrita në Barcelonë kur isha vetëm 13 vjeç dhe klubi investoi shumë për mua dhe familjen time. Jam shumë i lumtur këtu. E vërteta është se kam gjithçka më nevojitet dhe nuk kërkoj asgjë më shumë. Nuk dua të largohem për t‘u bërë pjesë e një klubi tjetër".