28 janar 2009

Bajern Mynih vëzhgon dyshen Zarate-Pandev

Dyshja sulmuese e Lacios, Mauro Zarate dhe Goran Pandev, mund të shndërrohen në objektivat e ardhshëm të Bajernit të Mynihut. Kjo pasi vëzhguesit e gjigandëve bavarezë ishin të pranishëm në stadiumin "Olimpiko", në takimin ku bardhekaltërit e drejtuar nga Delio Rosi humbën 4-1 përballë Kaljarit. E përditshmja "Il Messagero" pretendonte se Egon Kordes, shefi i sektorit të skautëve te kampionët e Gjermanisë, ndodhej në tribunë të dielën pasdite. "Misioni" i tij ishte vëzhgimi i Zarates dhe Pandev, edhe sepse trajneri Jurgen Klinsman kërkon të përforcojë repartin ofensiv gjatë sezonit të ardhshëm. Një tjetër lojtar i pëlqyer nga klubi i Bundesligës është edhe Neves Zheda, i cili militon te Kaljari. "Bomberi" kuqeblu realizoi dy gola në portën e Lacios, duke lënë përshtypje më të mirë te Kordes. Gjithsesi objektivat kryesorë të Bajernit mbeten dy sulmuesit lacialë.