08 janar 2009

“Klaudio Ranieri, i duhuri për ne”

Drejtuesit e klubit të Juventusit janë shumë të kënaqur nga paraqitjet e skuadrës gjatë këtyre dy sezoneve, e në mënyrë të veçantë nga puna e bërë prej trajnerit Klaudio Ranieri. Edhe pse i ndodhur në një situatë të vështirë gjatë fillimit të këtij kampionati, ish-tekniku i Parmës, i mbështetur dhe në ndihmën e lojtarëve të tij, ka ditur të shpërblejë besimin e drejtuesve. Një gjë të tillë e konfirmon Zhan Klod Blank, administratori i deleguar i “Zonjës së vjetër”. “Çdo pikëpamje dhe vendim i marrë gjatë kësaj periudhe pune me Klaudio Ranierin është në koherencë me planet sportive që ne, drejtuesit e skuadrës dhe trajneri, kemi biseduar së bashku përpara nënshkrimit të kontratës. Ai ka konfirmuar të gjithë besimin që ne kishim shfaqur në drejtim të tij, gjatë momentit që vendosëm t’i linim drejtimin e skuadrës. Sfida e tij, gjithsesi, nuk ka përfunduar ende, pasi politika jonë e re është që të krijojmë një skuadër fituese, duke ndërthurur talentet e reja me kampionët tanë. Nga Ranieri, më shumë se gjithçka tjetër vlerësoj qartësinë dhe kapacitetin për t’i dhënë rrjedhshmëri një skuadre, që sivjet ka bërë hapa të tjerë të rëndësishëm përpara, që dallohen qartë në ndërtimin e lojës. Më pëlqen, dhe këtu flas në emër të të gjithë stafit tim, të punoj me Ranierin, sepse fatmirësisht ndajmë të njëjtat vizione, klubi ka anën e saj, dhe skuadra tjetrën. Mbi të gjitha vlerësojmë punën e Ranierit, sepse ai është një njeri që e dashuron këtë sport, i përgjigjet me përpikmëri zgjedhjeve tona dhe besojmë, madje jam i sigurt, se duke vazhduar në këtë rrugë, sukseset nuk do të vonojnë”, thekson Zhan Klod Blank. Juventusi i ri do të ketë padyshim edhe strukturën e tij të modernizuar, që fillon me stadiumin e ri që tashmë ka filluar të ndërtohet nën gërmadhat e “Delle Alpit”, stadiumit të vjetër torinez. “Kemi punuar më shumë se dy vjet për të mbërritur deri këtu, për të planifikuar dhe konkretizuar planin për ndërtimin e stadiumit të ri. Kishte ardhur koha t’i ofronim më shumë komoditet tifozerisë sonë, e cila na është gjendur gjithmonë pranë gjatë këtyre viteve të fundit dhe shpresojmë që ambienti i ri të sjellë sa më shumë gëzime për ne si drejtues, për lojtarët e mbi të gjitha, për tifozerinë juventine”, përfundon administratori i klubit bardhezi.