08 janar 2009

Bardhezinjtë me sytë nga Sakhi i PSG-së

Juventusi duket shumë i interesuar për Mamadu Sakho. Kjo konfirmohet dhe nga e përditshmja sportive franceze, “L’Equipe”, sipas së cilës shoqëria bardhezi ka nisur bisedimet me klubin e Paris Saint German, për t’i “rrëmbyer” kësaj skuadre shërbimet e mbrojtësi të talentuar 19-vjeçar. Mamadu Sakho, pavarësisht moshës së tij të re, është shndërruar në beniamin e klubit të famshëm të kampionatit transalpin, duke qenë njëkohësisht edhe kapiteni i saj. Mirëpo, Juve duhet të mundë konkurrencën e gjysmës së klubeve të Premier Ligës për të bërë të vetin Sakhon, kontrata e të cilit me PSG-në skadon në vitin 2010. Nga sa mësohet nga menaxheri i lojtarit në fjalë, nëse drejtuesit e skuadrës franceze nuk do të plotësojnë kërkesat ekonomike të mbrojtësit dhe kapitenit të tyre, atëherë Sakho mund t’i japë lamtumirën kuqebluve në fund të këtij sezoni. Kartoni i futbollistit kushton rreth 10 milionë euro, por nëse fillimisht drejtuesit e Parisit rinovojnë kontratën me të, atëherë vlera e tij mund të dyfishohet. Gjithsesi, Sakho nuk është synimi i vetëm i bardhezinjve të Klaudio Ranierit, por tashmë edhe Florent Maluda është shndërruar në një objektiv serioz për ta. Mesfushori i krahut të majtë të Çelsit ka gjithmonë e më pak hapësira në “Stamford Bridge”, kështu që një largim i tiji nga Londra nuk do të ishte çudi. “Zonja e vjetër” sheh tek Maluda zëvendësuesin e Pavel Nedvedit dhe është e gatshme të shpenzojë deri në 10 milionë euro për lojtarin e Luis Felipe Skolarit.