26 janar 2009

Klaudio Markizio është në “qiellin e shtatë”

Pesë muajt e fundit ka qenë gjithmonë në rritje të vazhdueshme fizike e teknike, dhe puna e tij po i jep frytet e saj. Që nga momenti kur trajneri juventin, Klaudio Ranieri, vendosi ta sjellë në shtëpi, pas eksperiencës në Empoli, mesfushori i “Zonjës së Vjetër” e ka shpërblyer besimin e teknikut dhe presidencës torineze, ndeshje pas ndeshjeje, duke u konfirmuar gjithmonë e më shumë si një ndër armët “vdekjeprurëse” të mesfushës së Juventusit. Në përballjen me Fiorentinën ka qenë vendimtar, pasi qe pikërisht goli i tij që u dhuroi fitoren torinezëve dhe kryesimin momental të Serisë A. Vetëm pesë ditë më parë festonte 23-vjetorin e tij, kështu që goli ndaj vjollcëve është padyshim dhurata më e bukur për të. “Jam në qiellin e shtatë, më i lumtur se kurrë, sepse arrita më në fund të shënoj. Tentoja prej javësh ta bëja këtë, aq sa shpeshherë kam nervozuar edhe shokët e mi të skuadrës, sepse kundrejt pasimit, zgjidhja të gjuaja. Por më në fund realizova një ëndërr timen. Këtë gol ia dedikoj familjes sime, por edhe skuadrës e tifozëve”.