26 janar 2009

Del Piero: Ky Juventus, si ai i 94-ës!

Kapiteni bardhezi kujton ndeshjen e famshme të përfunduar 3-2 në Torino: Shënova golin më spektakolar Ndeshja më e rëndësishme e javës së 20-të të kampionatit italian është padyshim Juventus-Fiorentina. Një përballje që për shumë arsye nuk mund të konsiderohet një ndeshje si të tjerat. Kapitenit Alesandro Del Piero i sjell në mend kujtime të bukura dhe mbi të gjitha i kujton atë që është cilësuar nga ai si goli më spektakolar i karrierës së tij.
Numri 10 i bardhezinjve ka folur për atë magji. “Ka qenë një moment i shpejtë, sepse nuk jam menduar shumë dhe ndoshta ka qenë më mirë kështu. Kam menduar vetëm për të goditur topin në mënyrë që të kalonte sipër Toldos dhe kam qenë i përqendruar mbi topin, pasi ka qenë një pasim shumë i gjatë.
Më pas, kur ka përfunduar në rrjetë, ka ardhur fundi i botës, ka qenë një moment fantastik për të gjithë”, ka treguar Aleksi. Edhe pse ka arritur të shënojë 254 gola me fanellën bardhezi, për shumë tifozë ai kundër Fiorentinës, mbetet goli më i bukur. “Ai realizim ka qenë i ndryshëm nga të tjerët, nuk shihen shumë të tillë, kështu që veçantia e ka bërë atë gol të paharrueshëm, por gjithashtu ajo ka qenë edhe një ndeshje thelbësore për Juventusin.
Për ne ka pasur një rëndësi të madhe, kemi rekuperuar nga një disavantazh 2-0 dhe na ka dhënë besim të jashtëzakonshëm për të fituar titullin më pas, pas plot nëntë vitesh. Kështu që ka një seri arsyesh, afër njëra-tjetrës, që kanë bërë që ai gol të jetë i veçantë edhe sot”.
Më pas ka ardhur edhe ai përqafim në fund… “Unë isha tepër i lumtur, nuk kuptoja asgjë, fakti se kanë ardhur të më përqafojnë të gjithë shokët e ekipit nuk tregon gjë tjetër vetëm entuzazmin e madh që ishte në atë moment, për rikthimin e rezultatit. Kishim besim në forcat tona dhe kjo është parë në atë përqafim”, është shprehur kapiteni bardhezi.
Gjithashtu, Del Piero, konfirmon se në përfundim të atij takimi kishte thënë se nuk donte ta godiste topin pikërisht në atë mënyrë për t’u treguar modest. “Pikërisht sepse doja të tregohesha modest, tani mund të them se doja vërtet ta godisja në atë mënyrë (qesh). Në raste të tilla e di mirë se ku është porta dhe se çfarë mund të bëjë portieri.
Në fund topi ka shkuar në trekëndëshin e portës fatmirësisht”. Ndërkohë, kapiteni, ka pranuar se midis atij Juventusi dhe këtij të tanishmit ngjashmëritë nuk mungojnë. “Në atë kohë, ashtu si tani, kishte shumë lojtarë të rëndësishëm, kampionë të vërtetë, talente të reja, që si tani ishin një realitet i rëndësishëm, një trajner ekspert dhe një klub që donte të fitonte… Po, ngjashmëritë nuk mungojnë”, ka përfunduar Del Piero.