28 janar 2009

Kapllani dhe Hyka, 100 për qind jashtë sfidës së shkurtit me Maltën

Lojtarët nuk kanë marrë ftesa, shihen si alternativa vetëm në rast dëmtimesh
Edhe pse mungon konfirmimi zyrtar për skuadrën që Ari Han do të ketë në dispozicion për sfidën e 11 shkurtit kundër Maltës, Edmond Kapllani dhe Jahmir Hyka nuk do të jenë pjesë e kontingjentit. Të dy këta lojtarë nuk kanë marrë ftesa për grumbullimin e përfaqësueses, në takimin e parë për vitin 2009, të vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2010. Sulmuesi i Karlsruhes dhe mesfushori i Mainc nuk kanë qenë pjesë e skuadrës as në ndeshjen e fundit të përfaqësueses kuqezi, miqësoren e 19 nëntorit 2008 kundër Azerbajxhanit. Për koincidencë, Kapllani e Hyka janë aktivizuar për herë të fundit në skuadër në takimin e 11 tetorit 2008, ku Shqipëria humbi 2-0 në fushën e Hungarisë. Shkak për lënien jashtë skuadrës është bërë forma e dobët e tyre në klubet respektive. Në sulm, tekniku holandez pritet t‘i besojë sërish Bogdanit, Salihit dhe Berishës. Gjithsesi, ky nuk është një "përjashtim" përfundimtar, pasi Kapllani e Hyka mund të thirren "nën armë" në rast se Kombëtarja humbet të tjerë elementë për shkak dëmtimesh.Deri më tani, e sigurt mund të quhet vetëm mungesa e kapitenit Altin Lala. Sipas stafit mjekësor të Hanoverit, mesfushori shkatërrues do të zbresë në fushë vetëm në muajin mars, pra në kohë për ndeshjen në "Qemal Stafa" me Hungarinë. Dyshime të forta ka edhe për prezencën e Lorik Canës. Gjithsesi, nga Franca vazhdojnë të vijnë lajme kontradiktore për shëndetin e kapitenit të Olimpik Marsejës. Fillimisht shpresohej se 25-vjeçari do të rikthehej në aksion më 8 shkurt, ndërsa më pas mjekët deklaruan se lojtari nuk do të luante në atë datë, për të mos rrezikuar përkeqësimin e gjurit. Ndërkohë, gjatë pasdites së djeshme u fol se Cana do të jetë në formë optimale vetëm më 15 shkurt, një sinjal deri diku pozitiv për Shqipërinë.