28 janar 2009

Hanover e Kolbenc, "luftë" për Ramën

Renaldo Rama ka ndezur garën ndërmjet TuS Kolbencit dhe Hanoverit në Gjermani. Pasi është paraqitur mjaft mirë në provën te Kolbenc, gjatë kësaj jave mesfushori i Kombëtares U-21 pritet t‘i bashkohet klubit të Bundesligës për t‘u testuar. Si "sponsor" i 18-vjeçarit te Hanover ka shërbyer kapiteni i përfaqësueses kuqezi, Altin Lala. Lajmi është bërë i ditur nga gazeta "Neue Presse", e cila citonte: "Lala i ka folur me elozhe stafit teknik të skuadrës për djaloshin, i cili është pjesë e Kombëtares shqiptare të moshave. Përfaqësuesit e Hanoverit e kanë vëzhguar Ramën në sfidën që ai luajti me TuS Kolbenc kundër SV Rosbah". Në atë ndeshje, që përfundoi 5-0 për ekipin ku militojnë ish-kuqeziu Fatmir Vata e Njazi Kuqi, mesfushori shkëlqeu, duke realizuar dy gola. Me lojën e tij, Rama fitoi edhe besimin e trajnerit e Kolbencit, Uve Rapolder. Ky i fundit, në komentin për lojtarin e Olimpiakos Pireut tha: "Është vetëm 18 vjeç, por shfaqet shumë rrezikshëm përpara portës. Një lojtar mjaft interesat".