28 janar 2009

Dallku, Vorskla "jo" 1 mln eurove nga Gallatasarai

Vorskla as që ka ndërmend të humbasë Armend Dallkun dhe Debatik Currin. Shqiptarët janë lojtarët kryesorë të skuadrës që renditet në vendin e katërt në Vyscha Liga (elita e futbollit ukrainas) dhe deri më tani, drejtuesit e klubit kanë refuzuar çdo ofertë, madje edhe të skuadrave me emër në arenën ndërkombëtare. Interesimi më i fundit për Dallkun ka ardhur nga kampionët e Turqisë, Gallatasarai, të cilët kanë bërë ofertë zyrtare për mbrojtësin e krahut të djathtë. Megjithatë, klubi nga qyteti i Poltavës e ka refuzuar kategorikisht, duke mos lejuar fillimin e bisedimeve. Përgjegjësi i transferimeve te Gallatasarai, gjermani Feldkamp, kishte udhëtuar drejt Antalias, ku Vorskla po zhvillon fazën përgatitore, për t‘i hapur rrugën një transferimi të mundshëm të 25-vjeçarit në stadiumin "Ali Sami Jen". Turqit ishin të gatshëm të paguanin 1 milion euro për të siguruar shërbimet e lojtarit kuqezi, megjithatë as kjo shifër nuk i ka bindur krerët e skuadrës ukrainase. "Feldkamp ka ardhur në hotelin ku jemi akomoduar, ka biseduar me mua dhe më ka ofruar kontratë dyvjeçare te ‘Gallata‘. Ai bisedoi edhe me drejtuesit e klubit, por oferta e turqve është refuzuar, pasi Vorskla nuk dëshiron të më shesë deri në merkaton e verës. Oferta e Gallatasarait ka qenë shumë e mirë, si për Vorsklan, ashtu edhe për mua, megjithatë klubi vendosi që unë mos të largohem", deklaroi Dallku për kosovaren "Express". Interesimi i kampionëve të Superligës turke erdhi pas rekomandimeve të ish-trajnerit të Shqipërisë, Hans Peter Briegel, i cili i kishte sugjeruar Feldkampit mbrojtësin kosovar.