27 janar 2009

“Interi po e ndjen rrezikun nga pas”

Te Juve kanë optimizëm, përkundër 3 pikëve nga kreu... Nga Del Piero te Xhovinko shprehin besimin te titulli.. Tani, Interi e ndjen rrezikun që po i vjen nga prapa”. Në kampin e Juventusit mbizotëron një frymë optimiste, pavarësisht se të dielën në mbrëmje, Interi kryesues nuk humbi më terren, siç ndodhi një javë më parë. Por duke pasur parasysh se përpara tri ndeshjeve, distanca ishte prej plot gjashtë pikësh, tani çdo gjë është e përgjysmuar. E si rrjedhojë është rritur edhe besimi drejt titullit. “Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë – ka shpjeguar kapiteni Aleks Del Piero -. Por besonim më përpara, ashtu siç besojmë edhe tani. Sidoqoftë, të mos bëjmë llogari në këtë pikë të kampionatit, por vetëm në fund”. Më shumë sesa dëshiron të mendojë për xhupin e hedhur në tokë, sepse siç është shprehur vetë me shaka “nuk ishte e prerjes time”, Aleks kërkon të shijojë fitoren ndaj Fiorentinës, që e mbajti Juventusin po tri pikë prapa Interin. Ndërkohë që hedh vështrimin edhe te ndeshja e së mërkurës ndaj Udinezes. “Kënaqësia ime është në kulm, për fitimin e një ndeshjeje shumë të vështirë – ka deklaruar kapiteni bardhezi në faqen e tij zyrtare në internet -. Nuk na mbetet veçse ta vazhdojmë këtë seri pozitive, për të mos ju ndarë Interit në kreun e renditjes. Jam i kënaqur edhe për paraqitjen personale që kam bërë në këto ndeshje të fundit. Tani duhet të mendojmë për sfidën e së mërkurës kundër Udinezes, ku nëse gabojmë, do të na shpërdorohej mundi për atë që kemi marrë deri tani”. Sebastian Xhovinko, një nga talentet e Juves, dje ka mbushur 22 vjeç dhe është i lumtur që kjo moshë e ka kapur me fanellën bardhezi, megjithëse rinia e dytë e Del Pieros po i mohon pak mundësinë e aktivizimit. “Sidoqoftë jam i kënaqur që luaj për Juven – shprehet Sebastian -. Vitin e kaluar, kur isha tek Empoli, shpresoja të festoja 22-vjetorin tim, duke mbajtur veshur fanellën bardhezi. Në këtë moment ndihem mirë. Po vazhdoj të punoj me impenjim, në mënyrë që gjërat të shkojnë gjithmonë e më mirë, duke kërkuar të gjendem gjithmonë i gatshëm, atëherë kur skuadra do të ketë nevojë për mua. E kështu do të jetë edhe në dy ndeshjet e ardhshme ndaj Udinezes e Kaljarit. Synojmë maksimumin, pasi s’mund ta lëmë Interin të largohet më tej në renditje”.