12 janar 2009

Gigli zgjedh dhuratën: Dua Championsin!

“Dhuratën më të bukur e pres nga ekipi më 27 maj.” Giovanni Cobolli Gigli shtrëngon në duar fanellën e artë të Juventusit me numrin 64, vitet që sapo ka mbushur. Gjashtë muaj para skadimit të mandatit trevjeçar, në krye të presidencës juventine, tifozi i parë i bardhezinjve ka hapur agjendën e takimeve për vitin e ri. “Nesër do të rifillojë kampionati për ne. Do të jem tifoz i Cagliarit, duke parë se ekipi sard do të përballet në “San Siro” kundër Interit, dhe më pëlqen shumë si skuadër.” Data e rrethuar me të kuqe është 25 shkurti, në Stemford Bridge, ku do të zhvillohet Chelsea-Juventus, etapa e parë drejt afrimit në finalen e Champions Leagues, që do të zhvillohet më 27 maj në Romë. “Eshtë më shumë se një ëndërr, është objektivi im, i drejtuesve tanë, i gjithë skuadrës dhe tifozëve tanë. Kam dëshirë të shkoj në Romë dhe të fitoj. Eshtë një arritje e komplikuar, por që do të na bënte shumë krenarë. Juventusi në të kaluarën ka fituar shumë në Itali, por ne kemi korrur më pak nga sa kemi merituar, dhe nga vuajtjet që kemi pasur në kompeticionet europiane. Eshtë e vërtetë se është një objektiv shumë i vështirë për t’u arritur, por kampionët tanë para vështirësive japin maksimumin,” - ka përfunduar Gigli.