12 janar 2009

Del Piero: Juventusi mund ta kapë Interin

Sulmuesi bardhezi është shprehur optimist për këtë vit dhe ka besim te skuadra e tij
Kapiteni i Juventusit, protagonist i padiskututeshëm në këtë sezon me bardhezinjtë, ka folur hapur për sfidën ndaj Interit në luftën për titull, si dhe për të ardhmen e tij, pasi të tërhiqet nga bota e futbollit të luajtur.
- Del Piero, tani rifillon kampionati. Dy javë para përfundimit të fazës së parë, njëzet e një javë deri në fund të kampionatit. Interi është 6 pikë përpara. Mendoni se mund ta arrini?
- Po, jemi të vetëdijshëm se mund t’i arrijmë, se kemi armët e duhura për të luftuar deri në fund. Një gjë është e sigurt: për ne ka ardhur momenti të shkelim pedalen e gazit deri në fund. Besojmë se mund t’i shkurtojmë diferencat me kryesuesit.
- Çfarë ju ka thënë Ranieri, pas rikthimit në stërvitje?
- Na ka thirrur rreth vetes, për të na përsëritur objektivat që duhet të kemi parasysh gjithmonë. Gjëja e parë: të mos dorëzohemi asnjëherë. Më pas, duhet të kemi mentalitetin e ekipit të uritur për fitore, duke respektuar kundërshtarin dhe duke qenë të kujdesshëm për detajet. Çdo top e dyluftim duhet të jenë të rëndësishëm.
- Interi, që tani duket i pathyeshëm, ku ka më shumë mundësi të humbasë pikë në kampionat?
- Rreziqet më të mëdha do të vijnë nga përballjet me ekipet e vogla.
- Milani, mbas krahëve tuaj, është i entuziazmuar nga mbërritja e Beckhamit…
- Ai është një ndihmë më shumë për ata. Teknikisht, nuk diskutohet. Më pas, duke e njohur, duhet të them se për disa aspekte është njeri i shkëlqyer. Edhe pse ndodhet gjithmonë nën presion, i përkushtohet punës 100%. Milani është akoma në garë për të fituar titullin.
- Mourinho, nuk u ka lënë shumë hapësirë ndjekësve. Ka thënë se “Juvja dhe Milani do të mendojnë gjithmonë për të fituar, por duhet ta dinë se ne do të bëjmë të njëjtën gjë. Me pak fjalë, varen nga Interi; për këtë arsye, objektivi i tyre është i komplikuar”.
- Mourinho është një komunikues perfekt, shumë i aftë për të karikuar skuadrën e tij dhe për të vënë nën presion kundërshtarët. Do të shohim. Ne nuk duhet të mendohemi shumë për Interin dhe Milanin. Duhet të mendojmë vetëm për veten tonë. Duke filluar që nga ndeshja e të dielës kundër Sienës, që nuk do të jetë e lehtë.
- Flitet shumë për derbin e Italisë: historikisht, është Juventus-Inter. Por ka nga ata, të shtyrë nga numri i trofeve të fituara, që do të përcaktonin si të tillë Juventus-Milan.
- Të zgjedhësh është e vështirë. Sigurisht për mua, vitet e fundit, përballja më e rëndësishme ka qenë ajo me Interin.
- Buffoni preferon Champions League ndaj kampionatit. Jeni dakord?
- Po. Championsi është më shumë tërheqës. Më pas, duke ditur se kam fituar vetëm një kundër 5-7 kampionateve, nëse do të më duhej të zgjidhja, do të preferoja edhe unë atë.
- Të provojmë t’i luajmë këto sfida. Të fillojmë nga Chelsea-Juventus.
- Duam të fitojmë, unë kam shumë besim, por nuk mund të bëj ndonjë parashikim.
- Inter-Manchester United?
- Nga tre italianet, Interi ka detyrën më të vështirë. Luan kundër një ekipi që është shumë i fortë fizikisht dhe ndeshjen e kthimit do ta ketë jashtë. Manchesteri është kampioni në fuqi dhe gjatë kësaj faze të parë e ka përforcuar pozitën e tij.
- Arsenal-Roma?
- Skuadra e Wengerit duket më e lehta, por do të varet shumë nga vetë anglezët. Ata alternojnë paraqitje të mrekullueshme me zhgënjime të befasishme.
- Futbolli anglez ju tërheq. A ka ndonjë skuadër britanike që është interesuar për ju?
- Po, dy. Të parët, shumë vite më parë, kanë qenë Glasgow Rengers. Më pas, pikërisht Manchester United. Asnjëherë nuk ka pasur negociata konkrete, por mesazhe interesimi nëpërmjet agjentëve ose personalisht.
- A e prisnit që Amauri të ishte kaq vendimtar?
- Po, isha i sigurt për këtë. Eshtë lojtar i pjekur. Duhej vetëm të përshtatej me grupin. Ka treguar dëshirë të madhe, respekt dhe vendosmëri, duke u integruar për një kohë kaq të shkurtër.
- Të flasim për Cassanon. Sipas merkatos, flitet për një sfidë Inter-Juve për talentin barez…
- Mendoj se Cassano i intereson më shumë Interit. Ne jemi mirë kështu. Kjo nuk do të thotë se dyert tona për të janë të mbyllura. Si lojtar, më pëlqen shumë.
- Në moshën 34-vjeçare po zhvilloni sezonin tuaj më të mirë në 16 vite me fanellën bardhezi. Nuk keni shënuar asnjëherë kaq shumë sa në 2008-n (28 gola). Si e shpjegoni këtë?
- Varet nga muskujt, që janë në gjendje të mirë, dhe nga mentaliteti. Kam shumë dëshirë për të fituar.
- Goditjet e dënimit janë bërë sot më shumë se kurrë firma e padiskutueshme e Del Pieros. Ka ndonjë sekret?
- Goditja ime ka ndryshuar pak, në krahasim me të kaluarën. Më është dashur të përshtatem me faktin se sot portierët janë më të aftë; më pas, unë stërvitem shumë me murin në distancë prej 8 metrash, dhe jo me distancën e zakonshme prej 9,15 metrash, sepse në ndeshje distanca e rregullt nuk respektohet shumë.
- Ju jeni dhe do të jeni gjithmonë njeriu i Juventusit. Në të ardhmen, a e shihni veten më shumë trajner apo drejtues?
- Do të shohim, kur të vijë momenti, mbase do të kaloj te golfi.
- Golfi?
- Mund të jetë sfida ime e re, edhe pse askush nuk beson tek unë, sepse thonë se kam filluar vonë të merrem me këtë sport.
- Eshtë banale të thuhet se mbas krahëve të një kampioni të madh ndodhet një grua e madhe?
- Në rastin tim, është e vërtetë. Sonia është e jashtëzakonshme. Midis nesh ka qenë dashuri me shikimin e parë. E kam parë në një lokal dhe… Kam filluar ta bëj për vete, duke i dërguar lule. Këtë e bëj edhe tani. Besoj se këto të tanishmet janë më të rëndësishme se ato të kaluarat.
- Më pas, ka lindur Tobias (që sot është 14-muajsh). Si keni vendosur për një emër kaq pak italian?
- Eshtë emër gjerman, që na ka pëlqyer shumë. Fryt i një kërkimi që ka zgjatur nëntë muaj. Sigurisht, është ai i duhuri për të.
- Ju keni gjithçka: parà, famë. Arrini të jeni akoma ziliqar për diçka?
- Ndodh rrallë, por kalon shumë shpejt dhe shërben që të përmirësohem.
- Kombëtarja, nëse nuk do të merrnit avionin për në Afrikën e Jugut, do të mërziteshit shumë?
- Jo, nuk mendoj, por të jem i pranishëm në Botëror, është një nga objektivat e mia.