12 janar 2009

Amauri rrezikon kombëtaren italiane

Trajneri i kombëtares italiane, Marcello Lippi, mund të mërzitet. Po, sepse në procedurën që duhet t’i japë sulmuesit bardhezi Amauri nënshtetësinë italiane, siç ka bërë të ditur e përditshmja italiane “Il Mesagero”, është evidentuar një problem burokratik shumë i rëndësishëm. Gruaja e sulmuesit, Sinthia Kozini Valaderes, duket se ka gjashtë vite qëndrim në Itali të padokumentuara, nga viti 1998 deri në vitin 2004, që nuk tregojnë një qëndrim dhjetëvjeçar në Itali, i cili nevojitet për procedurën e pasaportizimit. Në rastin e veçantë të zonjës Amauri rezultojnë të verifikuar vetëm vitet nga 1996-a deri më 1998-n, dhe ato nga 2004 deri më 2007. Boshllëku prej gjashtë vitesh, i evidentuar, gjithsesi, mund të jetë edhe një gabim i Prefekturës së Palermos. Në fakt, ekziston mundësia, nga ana tjetër e reduktuar, që prefektura të ketë harruar se ka dërguar disa dokumente në gjykatë. Me pak fjalë, situata duhet sqaruar më tej. Ndërkohë, si Marcello Lippi ashtu edhe trajneri i Brazilit, Carlos Dunga, presin zhvillime, në lidhje me këtë procedurë. Duke parë momentin e shkëlqyer që po kalon sulmuesi i Juventusit, rrugët që mund të ndjekë ai mund të jenë të shumta, gjithmonë nëse burokracitë e ndryshme e lejojnë një gjë të tillë.