20 janar 2009

Amauri beson te fitimi titullit

Sulmuesi bardhezi, Amauri, shprehet i kënaqur pas atij barazimi me Lacion, që e pozicionon tani Juventusin vetëm 3 pikë larg Interit. “Ishte një ndeshje mjaft e fortë. Tani që e mbyllëm fazën e parë vetëm tri pikë larg zikaltërve, jemi të lumtur. Ky është një motiv më shumë për të besuar se Interi mund të parakalohet. Megjithatë, për momentin, le të përqendrohemi tek ndeshja e radhës me Fiorentinën, e cila në vetvete mbart shumë kleçka, – nënvizon Amauri. - Askush nuk e priste që Interi të mundej në Bergamo, por e dimë mirë që Seria A është një kampionat i vështirë, dhe se mjafton një shpërqendrim i vogël për të të vënë në vështirësi serioze”. Në takimin ndaj Lacios, Amauri nuk mundi dot të shënojë, kjo edhe për faktin se pati shumë pak raste në dispozicion. “Lacio është një skuadër, e cila luan një futboll të bukur. Unë nuk arrita të shënoj, megjithatë jam i lumtur me këtë pikë që mori skuadra. Kjo pikë për mendimin tim vlen sa për tri, sepse ju siguroj se ndaj lacialëve të gjitha skuadrat e mëdha do vuajnë shumë”, përfundon braziliani.