28 janar 2009

Capello: Kthejani Scudettot Juventusit

Trajneri i Anglisë, Fabio Capello, ka kërkuar kthimin e dy Scudettove, të cilat iu morën Juventusit si pasojë e skandalit Calciopoli, pasi që ato janë fituar me mund nga lojtarët bardhezi.
Cappello, i cili ishte trajner i Bianconerëve asokohe, ka kërkuar nga autoritetet italiane të futbollit që t’ia kthejnë ato trofe Zonjës së Vjetër, pasi që ai dhe lojtarët e tij i kanë fituar në fushë. “Kam qenë trajner i Juventusit ato vite dhe i kam fituar Scudettot në mënyrë legjitime në fushë. Prandaj nuk befasohem kur dëgjoj që Cobolli Gigli dhe tifozët dëshirojnë kthimin e tyre”, ka thënë ish-trajneri i Real Madridit për “Il Giornale”. Gjatë kohës kur udhëhiqte Juven, trajneri aktual i Tre Luanëve nuk mund të shihej sy më sy me Del Pieron, ndërsa tani ai ka vetëm fjalë të mira për të. “Jam shumë i lumtur për formën që po shfaq Del Piero. Ai ka një klas të lartë dhe po tregon nivelet më të larta të futbollit. Ai po dëshmon se është një kampion dhe po stërvitet shumë mirë”, ka përfunduar Capello.