24 janar 2009

Bardhezinjtë vazhdojnë studimin

Juventusi vazhdon të gërmojë në merkaton italiane dhe atë evropiane, por gjithmonë e më shumë, presidenca torineze është e tërhequr nga Marek Hamshik, mesfushori “i pashitshëm” sllovak i skuadrës së Napolit. Nga burimet e bardhezinjve konfirmohet se për Hamshik është gati një kontratë pesëvjeçare me një përfitim prej 3 milionë eurosh në sezon, shifër kjo shumë herë më e lartë se ajo çfarë sllovaku përfiton aktualisht tek Napoli. Çelësi për kryerjen e kësaj marrëveshjeje është sulmuesi Vinçenco Iakuinta, aq shumë i vlerësuar nga Edi Reja, plus gjysmën e kartonit të Zalajetës dhe një shifër parash jo më të lartë se 10 milionë euro. Ndërkohë, tjetër emër për mesfushën është ai i Diegos, brazilianit të Verder Bremenit, me të cilin Juventusi ka fiksuar një takim të rëndësishëm në muajin shkurt. Alesio Seko, drejtori sportiv bardhezi dhe babaimenaxher i Diegos do ta vlerësojnë çështjen. Tjetër objektiv është holandezi i Liverpulit, Dirk Kajt, por nëse të kuqtë do të ndërrojnë pronar, siç përflitet kohët e fundit, vështirë se biondi lëviz nga Anglia. Ndërkohë, Juventusi ka bërë një përforcim të rëndësishëm për të ardhmen. Bëhet fjalë për portierin e talentuar 19-vjeçar të Slavias së Sofjes, Mario Kirev, i cili do të jetë pasuesi i Bufonit.