24 janar 2009

“Gati për të fituar Juventusin”

“Ndihem shkëlqyeshëm”. Këto janë fjalët e David Trezegesë, katër muaj pas operacionit të kryer në të dy gjunjët e tij, në 23 shtatorin e kaluar. “Kam disa ditë që stërvitem normalisht me skuadrën dhe besoj se nga java e ardhshme do të jem në dispozicion të trajnerit, Klaudio Ranieri, duke ëndërruar që në ndeshjen e ardhshme të Juventusit të jem edhe unë në fushën e lojës. Kam rigjetur shokët e mi të skuadrës dhe ky fakt më lumturon shumë, pas disa muajsh shumë të vështirë për mua. Gjithsesi, tani ndihem mjaft mirë, jam gati për t’u rikthyer dhe për të fituar vendin tim tek kjo skuadër”. Të rikthehet të luajë sa më shpejt, kjo është dëshira më e madhe për momentin e David Trezege, sulmuesi francez i “Zonjës së Vjetër”. Lojtari transalpin nuk e fsheh faktin se i ka munguar shumë fusha e lojës, por përveç aktivizimit me bardhezinjtë, Trezege kërkon të rikthehet edhe në Kombëtaren e “gjelave”, pavarësisht se marrëdhënia ndërmjet tij dhe Rajmond Domenekdihet mirë se nuk është nga më të mirat. Gjithsesi, “Trezegol” kërkon ta bindë atë për t’i konfirmuar vetë trajnerit dhe francezëve se ai ka ende shumë për t’i dhënë bluve, me objektivin e madh për të qenë i pranishëm në Botërorin e vitit 2010 në Afrikën e Jugut.