Milani është në përgatitje të lansimit të ofertave në tregun spanjoll të transferimeve, për mbrojtësin në pronë të Barcelonës, Martin Caceres, dhe për sulmuesin brazilian të Sevillas, Luis Fabiano.
Përkundër faktit se Milani ende nuk ka nënshkruar me Masimiliano Allegrin për trajner të ri, Rosonerët kanë përvjelë mëngët. Martin Caceres që sezonin e kaluar ishte i huazuar te Juventusi, pritet që të mos transferohet përfundimisht nga biankonerët, ndërsa Barcelona dëshiron ta shesë atë. Caceres pëlqehet te Milani, por drejtuesit rosoner nuk duan të paguajnë 11 milionë euro për të, por ta marrin si huazim.
Përpos Caceres, Milani ka në radar edhe sulmuesin e Sevillas, Luis Fabiano. Milani shpreson ta shesë holandezin Huntelaar për 15 milionë euro, për të shtuar dhe 11 milionë euro të tjera për sulmuesin brazilian. Fabiano ishte pranë kalimit te Milani sezonin e kaluar.