Deri para pak ditësh, ‘Seleçao’ ishte ishulli i tij i lumturisë, vendi ideal për t’i lënë prapa shpinës zhgënjimet në kampionatin italian me Juventusin.
Mirëpo, pas ndeshjes Brazili-Portugalia, kritikave që mori në Itali pas sezonit dizastër me Juventus, duket se u janë shtuar edhe ato në atdhe, ku ish futbollisti i Fiorentinës kishte simpati të madhe pas paraqitjeve të mira me ekipin verdh e kaltër.
Stili i tij “agresiv” i lojës dhe “faullet e tepërta” – shkruajnë mediat braziliane – nuk i ka preokupuar vetëm kritikët, ngase “Felipe Melo i parë deri sot në Botëror është një futbollist që rrezikon të ndëshkohet me karton të kuq”.
Po ashtu, atë kanë filluar ta kontestojnë edhe tifozët, të cilët kanë eksploduar në internet përmes një ‘blogu’, të cilin ia kanë dedikuar atij, duke u inspiruar nga faktet e të njohurit Chuck Norris, një fenomen i vërtetë i filmave të zhanrit aksion, protagonist në botën e filmit në vitet ’90.
Kritikat e para në drejtim të Melos kanë arritur pas ndeshjes miqësore kundër Tanzanisë, ndërsa ai ka vazhduar me lojë të rrezikshme edhe në ndeshjet me Korenë e Veriut e Bregun e Fildishtë.
Në ndeshjen e fundit me Portugalinë, përpos ndërhyrjeve të shpeshta, 27 vjeçarin e përcolli edhe një nervozizëm i tepruar, duke rrezikuar të ndëshkohej me karton të kuq pas ndërhyrjeve të njëpasnjëshme të pakontrolluara ndaj mbrojtësit portugez Pepe.
“Felipe Melo duket se është angazhuar t’i imitojë lëvizjet e “Mortal Kombat”, përpara se të luajë futboll”, ishte komenti i editorialistit të Globoesporte, Mauro Beting.
“Duhet të jemi të preokupuar sepse ai është mjaft nervoz. Brazilit i nevojitet një futbollist që mundëson një ekuilibër në fushë e jo një lojtar konfliktuoz, që po ashtu dhuron goditje ndaj kundërshtarëve”, thotë editorialisti i njohur brazilian, Paulo Cesar Vasconcellos.