
Gjykime dhe role
Diskutimi ndërmjet trajnerit dhe prezantuesit televiziv është zhvendosur tashmë tek lojtarët bardhezi që luajnë për Italinë dhe tek impenjimi i ardhshëm i Delnerit në bankinën e Juventusit: “Simone Pepen e kam kërkuar unë në skuadër, e njoh që nga periudha kur luante për Palermon, do ti japë shumë kënaqësi dhe gëzime popullit bardhezi. Iakinta ka luajtur më mirë kur ishte më afër Alberto Xhilardinos, është një sulmues i dytë, për intensitet loje dhe përgatitjen fizike që zotëron do të jetë një lojtar i rëndësishëm për skuadrën tonë. Markizio është duke humbur identitetin? Për ta mbajtur vendin një lojtar mund të luajë në çdo lloj pozicioni që mund t’i kërkojë trajneri, por tek Juventusi do të ketë një pozicion tjetër në mesfushë dhe do të jetë i lirë të sulmojë edhe portën”. Kiambreti kërkon të ngacmojë disi Delnerin dhe interesohet për mbrojtësin e majtë, Krishito (”nëse do të isha në vendin tuaj, do ta mbaja”), dhe trajneri është në të njëjtin mendim, por shpjegon dhe mënyrën sesi veprohet në merkato: “Ka potenciale të mëdha, por ndërkohë varet nga situatat e krijuara dhe nga skuadra e Xhenovas”. Kapitulli i largimeve është një plagë e hapur në shtëpinë e Juventusit. “Ançeloti thotë që është më e lehtë të blesh sesa të shesësh lojtarë: si jeni duke lëvizur ju që keni dhjetë lojtarë për të shitur me kontrata të larta?”, ka qenë pyetja që i është drejtuar Delnerit. Por, trajneri bardhezi menjëherë e dërgon pyetjen në një vend tjetër: “Këtë pyetje duhet t’ia drejtoni Bepe Marrotës, i cili është drejtori i përgjithshëm dhe mbulon çështjet e merkatos, Juventusi nuk duhet të nxitohet, por duhet të gjejë zgjidhje interesante. Për fat të keq duhet të luajmë në Europa Ligë, që na kondicionon disi në merkato”.
Meritokracia
Mbi rolin e tij ndërkohë, Luixhi Delneri, ka përmendur konceptin e meritokracisë që është deciziv. “Kam punuar shumë në të gjitha nivelet, më duket vetja si një njeri që nuk kam mbërritur rastësisht në këtë pozicion, por me meritokraci, kam stërvitur, luajtur dhe arritur rezultate, kudo ku kam qenë. Dhe nëse sot ndodhem tek Juventusi, nuk duhet t’i kërkoj falje asnjë njeriu: nuk do të ndryshoj sjelljen time dhe mendimin tim për futbollin. Nuk kam aspak frikë nga dështimet e Ferrarës dhe Zakeronit në këtë skuadër, është pjesë e kësaj bote. Është e vërtetë, Rafa Benitez, ndërkohë ka gjetur një skuadër të ndërtuar, por ne kemi dëshirë të madhe për t’u rikthyer tek fitoret. Është një vend i bukur për të fituar, dëshira për të rilindur, për të gjetur besueshmëri me publikun tonë”. Trajneri ndihet i nderuar që do të ulet në bankinën e Juventusit dhe ka zbuluar frazën me të cilën presidenti Andrea Anjeli e ka pritur në Vinovo ditën e prezantimit: “Më ka thënë ‘Unë dhe ti mund ta vazhdojmë këtë rrugë bashkë’. Është një biletë e bukur mirëseardhje, që më ka dhënë një dozë të madhe energjie. Andrea është një djalë i ri dhe shumë i motivuar, më ka impresionuar shumë, mbiemri i tij pastaj është një garanci e madhe”. Por, gazetari Kiambreti nuk kishte sesi të mos provokonte disi trajnerin bardhezi me një pyetje të rëndë: “Ndërmjet Benitezit dhe Murinjos, ku gjendeni?”. Delneri nuk është i papërgatitur nga kjo pyetje provokuese: “Më përpara sigurisht, për shkak të moshës, unë ndërkohë nuk kam fituar asgjë…”. Për momentin, të paktën.
Italia e Lipit
Sigurisht, trajneri bardhezi nuk do të ulej në bankinën e kaltër në një të ardhme. “Nuk do të stërvisja Italinë, do të preferoja të merrja rezultatet me klubet. Prandeli është njeriu i duhur për të zëvendësuar Marçelo Lipin? Të presim të shikojmë se çfarë do të bëj, ashtu si Juventusi duhet të më presë mua, shpresojmë të konfirmojmë atë që dimë të bëjmë…”. Por nëse do të ishte gjendur në Afrikën e Jugut në vend të Lipit, Delneri, do të kishte marrë me vete Antonio Kasanon. “Trajneri aktual i skuadrës kombëtare ka bërë zgjedhjet e tija, por Kasano do ta kishte merituar një shans. Kjo skuadër kombëtare ka mungesë fantazie, por mund ta kalojë këtë handicap me forcën e grupit dhe karakterin. Të shtunën do të shkoj në martesën e Antonios, aty do të takoj dhe ish-presidentin tim Garrone”. Tifoz i Italisë dhe socialist i bindur, trajneri bardhezi zbulon se është në favor të himnit aktual, kundër idesë së Partisë Radikale të Veriut që kërkon ndryshimin. “Nuk kam dalë tani në krah të Italisë së Marçelo Lipit, unë kam qenë gjithmonë me Italinë, të kaltërit do të dinë të gjejnë energji për të shkuar përpara. Dhe ne do ti dedikojmë nderime kampionëve tanë. Italiani është skeptik në përgjithësi, dëshiron të shikojë në fillim, por ka mbrojtur gjithmonë vendin e tij”, ka përfunduar komentin e tij, Xhixhi Delneri.