Portieri i Juventusit dhe i kombëtares italiane do t’i nënshtrohet operacionit për të shëruar hernien diskale (që e bëri të lërë përgjysmë botërorin) dhe pritet të rikthehet vitin tjetër.
Lajmin e ka konfirmuar vetë 32-vjeçari. “Nuk dua të jetoj më me pasiguri. Nuk do të operohem menjëherë, por kur të jetë momenti i duhur. E në 2011-ën do të rikthehem si më parë”, pohoi “gardiani” italian. Më tej ai shtoi se ndërhyrja duhej bërë më parë, por “të gjithë më thanë që kishin nevojë për mua”.
Më 5 korrik numri një i Juventusit do të ketë një këshillë me stafin mjekësor të “Zonjës”, për të përcaktuar ditën e operacionit. “Fola edhe me Nestën, që ka të njëjtin problem”, shtoi Bufon, duke lënë për në fund edhe një batutë: “Nëse kualifikohemi për në kampionatin europian dhe më pas në botërorin tjetër, duhet të bëjmë festë. Seriozisht”.