Presidenti i Juventusit, Andrea Anjeli, ka publikuar një letër në faqen zyrtare në internet të klubit bardhezi, ku i është drejtuar shumë hapur tifozëve bardhezi kudo që ndodhen. “Të dashur tifozë, ka kaluar plot një muaj nga momenti kur kam marrë drejtimin e presidencës së Juventusit. Keni qenë të shumtë ju që më keni dëshmuar inkurajim, besim dhe mbështetje dhe jam me të vërtetë shumë mirënjohës. Futbolli, mbi të gjitha në periudhën verore, bëhet me fjalë, intervista, me emocione në distancë dhe ndonjëherë dhe iluzione. Unë mendoj që ëndrrat duhet të shoqërohen gjithmonë me realitet dhe sinqeritet, kështu që sot zgjedh t’iu drejtohem juve nëpërmjet faqes tonë zyrtare për t’iu treguar prioritetet e Juventusit për muajt e ardhshëm”.
Një epokë e re
“Skuadra- lexohet të jetë shkruar në këtë letër-ajo që apasionon të gjithë ne tifozët, është pikëlidhja e të gjithë aktivitetit tonë dhe impenjimit tonë. Dhe ja se përse blerja më e rëndësishme e Juventusit për sezonin 2010-2011 është padiskutim Xhiusepe Marrota, një njeri i futbollit dhe një njohës shumë i mirë si i merkatos ashtu edhe i të gjithë mekanizmave kompleks të një shoqërie sportive. Zhan Klod Blank dhe unë personalisht jemi duke i garantuar drejtorit tonë të përgjithshëm një mbështetje të nevojshme në mënyrë që të mund të arrijë në fund të gushtit me një skuadër kompetitive që t’ia vendosë në dispozicion trajnerit tonë të ri, Xhixhi Delnerit. Atij do ti takojë detyra e vështirë të risjellë kulturë dhe disiplinë sportive në dhomat e zhveshjes. Distanca me skuadrat rivale, që është krijuar në këto vite të fundit, kërkon një punë të madhe komplekse, por jemi të bindur që me profesionalizëm dhe pasion do të jemi në gjendje të ndërtojmë një skuadër të aftë për të fituar kundër çdo lloj kundërshtari. Shoqëria, që unë e konsideroj një tjetër skuadër, është duke jetuar një moment ndryshimi radikal. Jemi të gjithë, nga i pari tek i fundit, çdokush në rolin e tij dhe me kompetencat e tij të përcaktuara, në punë për të garantuar stabilitet ekonomik dhe kompetivitet sportiv çdo sezon”.
Drejtësia
Personalisht jam duke kërkuar të impenjohem plotësisht, pa kursyer energji në të gjitha frontet që është e nevojshme, lexohet akoma më tej në këtë letër të presidentit të Juventusit, Andrea Anjeli. E dini të gjithë, ndërkohë që unë, ashtu si edhe të gjithë ju, jam në pritje dhe vigjilent për të mësuar vendimet përfundimtare të drejtësisë sportive që duhet të tregojë, se është e njëjtë për të gjithë në çdo lloj momenti historik. Dhe ja se përse do të bëj që gjithmonë të dëgjohet zëri i Juventusit në federatën italiane të futbollit, në Ligën e futbollit dhe në çdo seli tjetër. Vera ka filluar tashmë dhe kështu që ju uroj të gjithëve ju një verë të lumtur dhe të qetë në pritje për t’u përshëndetur të gjithë bashkë në stadium!”.
Kielini, Real dhe Manchester insistojnë
Nuk ka mbaruar ende interesimi i vazhdueshëm i Real Madridit dhe Manchester Junaitid për Xhiorxhio Kielinin. Siç ka konfirmuar edhe menaxheri i tij, Davide Lipi, për gazetën angleze ‘Daily Mirror’, mbrojtësi i Juventusit mbetet gjithmonë një objektiv fiks për të dy klubet, pavarësisht se diçka është frenuar në këto javët e fundit edhe për shkak se lojtari dhe shoqëria bardhezi kanë siguruar se do të vazhdojnë të jenë bashkë në të ardhmen. “Manchester Junaitid dhe Real Madridit vazhdojnë të ndjekin me interes Xhiorxhio Kielinin, shpjegon menaxheri Lipi, në përfundim të Botërorit do të diskutojmë dhe shikojmë me kujdes situatën e lojtarit”. Menaxheri i mbrojtësit të kombëtares italiane në fund i ka dërguar një mesazh të qartë drejtuesve të rinj bardhezi, duke lënë të kuptohet se kontrata e lojtarit që menaxhon do të ridiskutohet në mënyrë të pashmangshme, duke u ndërtuar të bazë të meritave dhe peshës që lojtari ka në skuadër: “Xhiorxhio ka firmosur një kontratë me Juventusit dy vite më parë, kur ishte akoma i ri. Tashmë ka zhvilluar dy sezone të mëdha dhe ka arritur një nivel tjetër paraqitjesh”, ka nënvizuar Davide Lipi. “Ka ardhur momenti për Xhiorxhio Kielinin që të firmosë një kontratë prej top player”.