Zërat që qarkullojnë rreth merkatos së verës bëjnë me dije se tekniku i Mançester Junajtid, Aleks Ferguson, dëshiron të sigurojë shërbimet e qendërmbrojtësit juventin, Xhorxho Kielini.
Sipas tabloidit britanik “Sun”, klubi i Premier Ligës është gati të vërë në dispozicion të “Zonjës” një shumë që varion nga 20-25 milionë euro. Për të siguruar paratë e nevojshme për italianin, Junajtid është gati të shesë serbin Nemanja Vidiç te Mançester Siti, që mund të paguajë 25 milionë euro.
Problemi i vetëm mund të jetë vendosmëria e drejtuesve bardhezi për të mbajtur Kielinin, të cilin që në fillim e kanë përfshirë në listën e lojtarëve të pashitshëm. Aktualisht 25-vjeçari fiton 2 milionë euro në sezon, pagë që pritet të rritet gjatë ditëve të ardhshme, pas takimit të përfaqësuesve të Juves me agjentin e lojtarit.