Mesfushori i Italisë, Claudio Marchisio, ka thënë se eksperimentet taktike të trajnerit Marcello Lippi kanë krijuar konfuzion në ekip. 24 vjeçari, në dy ndeshjet e para në Grupin F, luajti prapa sulmuesve dhe në krahun e majtë. “Në Kampionatin Botëror, shumë prej futbollistëve nuk janë duke luajtur në pozitat e tyre të zakonshme, sepse trajneri është duke bërë shumë eksperimente. Ndryshimet e shpeshta janë përcjellë me gabime dhe kanë krijuar konfuzion në mesin tonë, por ai ka përvojën e duhur për të na udhëhequr nga kjo situatë”, - tha Marchisio për televizionin italian RAI.
Lippi aktivizoi futbollistët e njëjtë në barazimin 1-1 me Paraguain dhe rezultatin identik kundër Zelandës së Re, por në sistemet 4-2-3-1 dhe 4-4-2. “Jemi paksa të dëshpëruar, sepse kemi menduar se do të kalojmë shumë më lehtë nga ky grup. Ishte gabim të bëjmë aq shumë krosime kundër Zelandës së Re, që është e fuqishme në ajër”, - përfundoi ai.