02 qershor 2010
Felipe Melo: Ngjajmë shumë me kombëtaren e Botërorit USA ‘94
Kombëtarja braziliane është shumë e ngjashme me atë të Botërorit 1994, kohë kur mundte në finale Italinë. Skuadra e atëhershme kishte për kapiten pikërisht Dungën, trajnerin aktual të “Seleçaos”. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga një prej futbollistëve të njohur të rekordmenëve kampionë bote, mesfushorit verdhëjeshil, Felipe Melo, i cili vjen nga një sezon pak a shumë me probleme nën bluzën e Juventusit në Serinë A. Felipe Melo më pas ka nënvizuar edhe specifikat e tij, që janë shumë të ngjashme me ato të trajnerit aktual të Brazilit. “Ndoshta kemi karakteristika të njëjta, me një personalitet të fortë në fushën e lojës. Vetëm se Dunga tashmë është kurorëzuar, ka fituar disa tituj me Kombëtaren, ndërsa unë jo. Por shpresoj që tani të filloj të fitoj trofetë që më mungojnë”. Po ashtu si brazilian që është nuk mundet të mos lëshojë edhe një batutë në lidhje me rivalin e përjetshëm, Argjentinën e Maradonës dhe Lionel Mesit: “Do të mund të marrin rezultate të mira, por do të renditen pas Brazilit”.