30 gusht 2009

Idrizi: E treta e vërteta

Kampioni në fuqi, Prishtina e ka dertin si të dalë nga gjithë kjo situatë e pakëndshme e rezultateve të zeza që ka arritur në dy ndeshjet e para të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll. Kapitenin e Prishtinës, Mirsad Idrizin, aspak nuk e shqetësojnë dy humbjet e para: e para në Prishtinë nga Trepça 1:2, dhe e dyta, në Prizren nga Liria me rezultat 3:0. Idrizi është optimist se Prishtina ka forcë të luftojë për titullin e kampionit, dhe sipas tij, skuadra bardhë e kaltër do të ketë fjalën kryesore në vazhdim të kampionatit. Ditë më parë, kryetrajneri i Kosovës nga Vushtrria, Arbnor Morina ka thënë se në Prishtinë do të shkojnë vetëm për rezultat pozitiv dhe t’iu tregojnë dashamirëve të futbollit se Kosova nuk i ka fituar rastësisht pikët, por si pasqyrë e lojërave të mira. Kjo thënie e Morinës drejtuesve të Prishtinës dhe vetë kapitenit të skuadrës nuk i lënë përshtypje për faktin se e dinë fortë mirë sesa ka kapacitet Kosova. Prishtina pret pikët e para në kampionat në ballafaqim me Kosovën dhe ta thyejnë zinxhirin e rezultateve negative. “Prishtina është një skuadër e kompletuar dhe që gjithmonë ka treguar futboll cilësorë. Nuk do të thotë asgjë që i kemi humbur dy ndeshjen në hapje të kampionatit sepse çdo skuadër nganjëherë nuk e ka ditën e vetë. Mund të them se Prishtina ndaj Trepçës dhe Lirisë nuk e ka pasur ditën e vetë dhe kjo mendoj se edhe humbjet kanë qenë të rastit. Përballë Kosovës do të hyjmë më një synim: vetëm fitore. Skuadra jonë do të jetë më përbërje të plotë përveç që do të mungojë Mensur Limani. Qëllimi i të gjithëve është t’i japim fund kësaj serie të zezë. Prishtina do të tregojë fytyrën e vërtetë në përballje me Kosovën dhe për këtë do të bindën të gjithë”, tha Idrizi. Prishtina, në dy ndeshjet e para ka shënuar një gol dhe pësuar pesë gola. Qendërmbrojtësi prishtinas, Idrizi, ka thënë se në ballafaqimin e tretë do të ngadhënjejnë. “E treta do të jetë e vërteta. Prishtina nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç fitores. Kjo fitore e kthen vetëbesimin dhe do të jemi në valle për titullin e kampionit. Nuk na interesojnë në asnjë mënyre se çka ka thënë rivali ynë, Kosova, por e jona është të luajmë futboll dhe t’i tregojmë se Prishtina është ajo e vjetra. Nga minuta e parë e ndeshjes do të aplikojmë lojë ofensive ndaj Kosovës. Përparësia jonë është të luajmë lojë kolektive dhe kjo është arma më e fortë e jona”, theksoi Idrizi. Ky futbollist që bartë barrën kryesore në lojë ka shtuar se skuadra e tij nuk ka krizë të lojës. “Dikush mendon se kemi krizë të lojës, kjo nuk qëndron absolutisht. Çdo skuadrës së madhe i ndodh që nganjëherë mos t’i shkojë mbarë, kështu na ndodhi edhe neve. E dimë se në Prishtinë çdo skuadër vjen të fitojë një pikë ose të tri pikat. Në rast se nuk e arrijnë qëllimin e tyre, prapëseprapë thonë se nuk është punë e madhe pse kemi humbur sepse dihet kush është Prishtina. Kjo filozofi mendoj se është të shumica e skuadrave. Prandaj, secila skuadër ka një motiv të madh kur luajnë kundër Prishtinës, kështu do të hyjnë edhe vushtrriasit. Një i sigurojë vushtrriasit se pikët do të jenë të Prishtinës dhe ata do të kthehen duathatë”, përfundojë Idrizi.