30 gusht 2009

Napoli e ka në dorë Xhemajlin

Fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë, pa ndryshuar asgjë. Kjo ishte vera që e përshkoi mesfushorin shqiptar, Blerim Xhemajli. Pasi e priti 50 ditë Palermon, futbollisti defanziv duket se do të transferohet te një tjetër klub italian.
Bëhet fjalë për Napolin, i cili e ka në duar futbollistin e Torinos. Kështu të paktën shkruante të shtunën ueb faqja italiane, napolisport.net. Sipas të gjitha gjasave, mesfushori i Napolit, Manuele Blasi, do t’i bashkohet Palermos, ndërsa klubi napolitan do ta transferojë 23-vjeçarin.
Gjithçka më shumë do të dihet në 48 orët e ardhshme, kur edhe do të përfundojë afati kalimtar i verës. “Jemi duke biseduar me Napolin”, ka pranuar drejtori sportiv i klubit Granata, Rino Foschi.
Zyrtarët e Napolit dhe Torinos, Marino e Foschi, duket se kanë arritur marrëveshje për një huazim të futbollistit, me mundësi blerjeje definitive nga ana e Napolit, pas një viti. Mirëpo, me sy hapur mbeten edhe klubet e tjera të interesuara për mesfushorin shqiptar, Palermo, Fiorentina, Lazio dhe Parma.