31 gusht 2009

Sheva i lumtur pas rikthimit në Ukrainë

Sulmuesi ukrainas Andriy Shevchenko është shprehur i kënaqur që është kthyer te Dynamo Kyivi, dhjetë vite pasi ishte larguar nga ky klub në drejtim të Milanit.
Sheva kaloi vite të arta me Rossonerët deri para se të transferohej te Chelsea (2006), ku karriera e tij mori teposhtën.
Duke qenë se ishte i padëshiruar në Stamford Bridge, Shevchenko shprehu dëshirën për t’u larguar drejt një skuadre ku do të luante më shumë, ndërsa meqë Dynamo Kyiv ishte njëra nga skuadrat e interesuara për 32-vjeçarin, ai vendosi që të rikthehej në Ukrainë.
“Para së gjithash dëshiroj ta falënderoj Roman Abramovichin dhe Igor Surkis-in (presidentin e Dynamos) që e mundësuan transferimin. Po ashtu dëshiroj ta falënderoj trajnerin Valery Gazzaev, që jam shumë i lumtur që më është dhënë mundësia të punoj me të. Kam kaluar dhjetë vite jashtë dhe tash është koha për t’u kthyer”.
“Dëshiroj ta nderoj klubin dhe t’i bëj fansat të lumtur. Jam shumë i lumtur që jam kthyer”, ka thënë ukrainasi.