31 gusht 2009

Kaos kuqezi në fushë, vonesa në gjithçka

Gatuzo duhej të zëvendësohej shpejt me Sedorfin, por holandezi ishte në stol pa fanellë e këpucë
Fiton rrëmuja. Një rrëmujë prej titulli, madje për Ligë Kampionesh. Ajo që ndodhi rreth minutës së 38-të dhe që ndikoi gjithë ndeshjen, është e pakuptueshme për një skuadër të nivelit të lartë. Gatuzo ishte në fushë, por i dëmtuar, kërkoi zëvendësimin dhe u ndëshkua me karton të verdhë pas faullit të 11-metërshit ndaj Etosë. Rino i afrohet stolit, pret zëvendësimin, menaxheri i skuadrës kuqezi Mentana i afrohet gjyqtarit të katërt për ta sinjalizuar. Momente ankthi! Ç’të bëjë? Cili duhet të hyjë. Telekamerat inkuadrojnë Klarens Sedorfin, që duhet të marrë vendin e Gatuzos, akoma pa fanellë dhe pa këpucë. Por Gatuzo, i dëmtuar dhe sigurisht i inatosur, kthehet në mesfushë dhe ndërhyn keqazi ndaj Shnejderit duke marrë kartonin e dytë të verdhë. Duke dalë nga fusha, Xhenaro ulërin fort nga inati. E ka me të gjithë, me Leonardon, Mentanën, me Sedorfin që nuk ishte gati. Por nëse ai ndaj Shnejderit nuk do të ndërhynte, mos do të ishte më mirë? Leonardo thotë: “Kur një lojtar është i dëmtuar, është e natyrshme të ketë sjellje të tillë. Por për një lojtar me përvojë si Rino, duhet të dijë ta mbajë veten. Klarenesi nuk ishte gati”. Kësisoj, dalja e Gatuzos nga fusha rezultoi vendimtare për humbjen në derbi. Një episod i rëndë, nëse konsiderohet që mesfushori kishte pasur probleme fizike që në prag të ndeshjes dhe që në minutat e para pësoi një dëmtim në zonën interiste, aq sa kërkoi ndërhyrjen e mjekut e të masazhatorit. Nëse një lojtar nuk është mirë, nuk duhet të luajë: ky është një rregull i vjetër i futbollit, por duket që nuk vlen më. Dhe pastaj rregulli tjetër: nëse dikush dëmtohet, duhet të jesh gati (Leonardo) për zëvendësimin. Si ka mundësi që lojtarët s’janë të gatshëm në stol? Edhe pse nuk janë titullarë, fanella dhe këpucët duhet të vishen… Por kaosi u shtua edhe nga një tjetër detaj: Gatuzo ishte në dyshim deri në momentet e fundit; vetëm të shtunën pas stërvitjes, Leonardo e zgjodhi para Ambrozinit, që po përjeton një formë të mirë. Mos ishte më mirë të synohej te Ambro, që gjithsesi jepte siguri fizike? Ndër të tjera, si mund të ekzekutohet një goditje standarte (i ndodhi Milanit në të 34-ën) dhe kur topin e kthen muri, si mund të pozicionohet keq në fushë skuadra, duke e detyruar të dëmtuarin Gatuzo të ndjekë nga pas Etonë? Mos duhet të ishte një tjetër për “të eleminuar” kamerunasin? Nga këto të detaje të vogla, del se organizimi është i dobët. Milanit i mungoi pikërisht në mbrëmjen më të rëndësishme. Skuadër e paqartë edhe në lojë, vendimet merreshin gjatë ndeshjes. Rrëmujë pra. Kaos i pakuptueshëm për një si Leonardo që ka epërsinë se e njeh metodën drejtuese në botën e futbollit. Diçka duhet riparë në shtëpinë e Milanit.