Diego-Felipe Melo, “samba” ndaj Romës. Hulio Kruz fundos Kievon. Triumfojnë edhe skuadrat e Gjenovës
Java e dytë e kampionatit italian, i ka parë skuadrat vendase dhe ato pretendente të fitojnë në shtëpinë e tyre dhe jashtë fushe po ashtu. Juventusi kryeson renditjen me 6 pikë pas fitores ndaj Romës, ku fitoi falë “sambas” braziliane Diego-Felipe Melo. Po kaq pikë kanë edhe Lacio, Xhenoa dhe Sampdoria, që mundën respektivisht Kievon dhe Atalantën dhe Udinezen. Fiorentina merr një fitore të vështirë ndaj Palermo në Firence. Parma dhe Napoli shënojnë sukseset e tyre të para në këtë sezon, duke mundur Katanian dhe Livornon. Një fitore të rëndësishme arrin edhe Siena që ka gjunjëzuar Kaljarin në Sardenjë 3-1.
Lojtarë klasi ekzistojnë pikërisht për këto gjëra: të arrijnë t’i fitojnë vetë ndeshjet, përndryshe nuk do të jenë aspak efikasë. Diego Ribas da Kunja është një nga këta dhe Juventusi tani e di shumë mirë. Kundër Romës, suksesi i bardhezinjve mban firmën e brazilianit, autor i një dygolëshi shumë të bukur (një për pjesë), që e zbehën barazimin momental të De Rosit. Në fund, vjen dhe firma tjetër braziliane nga Felipe Melo. Me suksesin e dytë radhazi në një fushë të vështirë si ajo e “Olimpikos”, Juventusi kryeson kampionatin me pikë të plota pas dy javësh.
Lacio është rikthyer fuqishëm si dikur me fitoret e saj të rëndësishme, duke mundur mbrëmë Kievon. Vendosi një dygolësh i Hulio Kruzit (njëri me 11-metërsh) për t’i dhënë tri pikët bardhekaltërve, që kanë të njëjtat pikë sa Juvja. Për vendasit, golin e vetëm e shënoi i zakonshmi Pelizier. Një gol i mbrojtësit Moreti në fund të pjesës së parë i ka dhënë Xhenoas suksesin në Bergamo ndaj Atalantës. Të ardhur nga kualifikimi në Ligën e Europës në mesjavë, gjenovezët kanë tashmë gjashtë pikë. Po kaq ka edhe Sampdoria, e cila falë dyshes Pacini-Kasano ka mposhtur një Udineze të lodhur dhe në formë të dobët. Sampi ka kryesuar bindshëm dhe nuk e vuri asnjëherë në dyshim fitoren. Fiorentina nuk e ka pasur të lehtë të fitojë mbrëmë ndaj Palermos në “Artemio Franki”. Ndeshjen e vendosi goli i peruanit Vargas, i cili tregohet i vëmendshëm të devijojë në rrjetë një krosim të ardhur nga e majta. Kjo është fitorja e parë në këtë sezon për skuadrën e Prandelit. Edhe Parma merr tri pikët e para në këtë kampionat pas ngjitjes në Serinë A. Emilianët e Guidolinit mundin bindshëm Katanian 2-1 me gola të Galopës dhe Paloskit. Për siçilianët, goli i Biaxhantit nuk mjaftoi.