22 janar 2009

Zyrtare: Fausto Rossi bardhezi deri në vitin 2014

Faqja zyrtare e Juventusit juventus.com ka bërë të ditur se lojtari i ekipit Primavera (të të rinjve) të Juventusit, Fausto Rossi ka firmosur kontratë me skuadrën e Juventusit deri në vitin 2014. Lojtari 18-vjeçar i cili aktualisht luan për skuadrën e të rinjve të Juventusit është njëri ndër lojtarëve më të talentuar në Itali si dhe në Evropë. Paraqitjet e tij të shkëlqyeshme kanë nxitur drejtuesit bardhezinjë që të blindojnë lojtarin. Rossi sipas kontratës do të qëndrojë në skuadrën e Juventusit edhe plot 5 vite të tjera, mirëpo ekziston mundësia që sezonin e ardhshëm lojtari të huazohet në ndonjë skuadër që të mund të përfitojë përvojë në futbollin profesionist. Edhe vetë lojtari ka qenë i lumtur nga kjo kontratë duke theksuar se tashmë i është realizuar ëndërra që një ditë të veshë fanellën e Juventusit. "Jam tepër i lumtur dhe krenar nga kjo kontratë". "Shpresoj që në të ardhmen të bëhem njëri ndër lojtarët më kryesor tek Juvja dhe t'i ndihmoj skuadrës të fitojë trofe" - kanë qenë fjalët e para të Rossit pas firmosjes së kontratës. "Që në fëmijëri kisha një ëndërr të vetme dhe ajo ishte që dikur të vesh fanellën e Juves" - vazhdoi lojtari. "Dëshiroj që kjo të mos jetë kontrata e parë dhe e fundit me Juven, pasi që dua që në të ardhmen të ndodhin edhe shumë surpriza tjera në bashkëjetesën time me Zonjën e Vjetër" - përfundoi ai.