28 janar 2009

United përforcon pozitën e parë

Kampionët e Ligës Premier, Manchester United, e kanë mposhtur me rezultat të thellë prej 5-0 skuadrën e pashpresë të West Bromwich Albion, për t’iu shmangur tre pikë Liverpoolit, i cili nesër është mysafir i Wigan Athletic.
Djajtë e Kuq shënuan golin e parë në minutën e 22-të me anë të sulmuesit bullgar Dimitar Berbarov, i cili pas një kombinimi me Carrick e mposhti portierin Carson. Nga minuta e 40-të, vendasit mbetën me një lojtar më pak në fushë pasi gjyqtari në mënyrë kontroverse e përjashtoi direkt me karton të kuq Paul Robinsonin, për një ndërhyrje e cila ndoshta meritonte karton të verdhë. Nga ky moment të zgjedhurit e Fergusonit nuk e patën vështirë të shënoni gola. Pa përfunduar pjesa e parë (44’), argjentinasi Carlos Tevez dyfishoi epërsinë për mysafirët. Pesëmbëdhjetë minuta brenda pjesës së dytë (60’) shënoi edhe serbi Nemanja Vidic, për ta ngritur epërsinë në 3-0. Dy golat tjerë u rezervuan për lojtarin më të mirë në botë për vitin 2008, Cristiano Ronaldo, i cili shfrytëzoi më së miri pasimet e Giggsit dhe Berbatovit për ta fundosur krejtësisht WBA-në. Në ndeshjet tjera të Premiershipit të zhvilluara të martën mbrëma, Sunderlandi e ka mposhtu Fulhamin me rezultat minimal prej 1-0. Me të njëjtin rezultat Aston Villa ka fituar si mysafir i Portsmouthit. Ndërsa me rezultat 3-1, Tottenhami ka dalë fitues kundër Stoke Cityt.